Petkoviqi: Tabelat RKS Serbia i pranoi në kohën e Edita Tahirit dhe Borko Stefanoviqit
Vartësi i Vuçiqit, Petar Petkoviq, ka thënë se Serbia pranoi ekzistencën e shtetit të Kosovës, kur është nënshkruar marrëveshja e vitit 2011. Për këtë, ai fajin ia ka lënë atëherë negociatorit të Serbisë, Borko Stefanoviqit.
Zyrtari serb, Petar Petkoviq, që drejton të ashtuquajturën Zyrë për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, ka folur sot para mediave, për t’i transmetuar ato që ia ka thënë shefi i tij, presidenti Aleksandër Vuciq.
Petkoviqi ka thënë se Vuçiqi është në kërkim të një zgjidhjeje kompromisi dhe se e djeshmja ka qenë ditë e vështirë për të.
Sipas tij, Vuçiqi dje në tavolinën e bisedimeve në Bruksel me kryeministrin Albin Kurti, i ka dhënë dy propozime.
Propozimi i parë, sipas tij, ka të bëjë me marrëveshjen për dokumente identifikimin, të cilën e ka nënshkruar Edita Tahiri nga Kosova dhe Borko Stefanoviq nga pala serbe. Këtë marrëveshje ai e quan “jo të mirë”.
“Në lidhje me letërnjoftimet, ne ishim të gatshëm që për qytetarët e Serbisë, të cilët jetojnë në Serbi, kur të shkojnë në Kosovë, t’u lëshohet një dokument hyrje/dalje në kufirin administrativ”, ka thënë Petkoviq, sipas një raportimi të “KosovOnline”.
Kjo, sipas tij, nuk duhet të vlejë për serbët e veriut.
Ai ka thënë se marrëveshja e 2011-s, e nënshkruar nga Stefanoviq, e njeh ekzistencën e Kosovës.
Propozimi i dytë ka të bëjë me targat, për të cilat, ai ka thënë se Serbia i ka pranuar me marrëveshjen në mes të Tahirit e Stefanoviqit.