Petkoviqi: Zgjedhjet i bojkotuan edhe shqiptarët, votuan 449 më pak se në 2021
Me mospjesëmarrjen e tyre në zgjedhje, serbët kanë theksuar dhe nënvizuar se nuk ka normalizim të marrëdhënieve pa formimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe, ka thënë drejtori i të ashtuquajturës “Zyrë për Kosovën”, Petar Petkoviq, duke folur në televizionin publik serb rreth zgjedhjeve në katër komunat veriore të Kosovës.
Zgjedhjet në veri të Kosovës, ai i ka quajtur “me karakter anti-demokratik” duke u thirrur në bojkotin e përgjithshëm të serbëve, ku përkatësisht morën pjesë vetëm 13 prej tyre.
“Fakti se vetëm 13 serbë dolën në vendvotime, që kontenjerët qenë të zbrazët, që kutitë e votimit ishin të zbrazëta, tregon më së miri që kjo është disfatë dhe debakël për (kryeministrin e Kosovës] Albin Kurtin, komunitetin ndërkombëtar, si dhe ishin themel i unitetit serb, ku treguan përgjegjshmëri të plotë dhe e lanë Albin Kurtin ta bëjë punën e tij të pistë”, ka thënë Petar Petkoviq.
Petkoviqika pasur kritika të mëdha edhe ndaj një pjese të komunitetit ndërkombëtar që njohën rezultatin zgjedhor me 1 mijë e 500 votues, përkatësisht ShBA-së.
“Tash po ua njohin rezultatin krejtësisht jolegjitim zgjedhor”, ka thënë ai. Përveç kësaj, ai pretendon se jo vetëm serbët bojkotuan këto zgjedhje por edhe një pjesë e votuesve shqiptarë.
“Kur shihni rezultatet, do të shihni se po qe se i krahasoni me vitin 2021, 449 shqiptarë më pak votuan dje, që do të thotë se jo vetëm serbët bojkotuan zgjedhjet, por edhe shqiptarët, dhe prej atyre 13 serbëve që nuk bojkotuan, 2 votuan në Mitrovicë të Veriut, 7 ne Leposaviq, 4 në Zveçan, dhe 0 në Zubin Potok”, ka thënë ai.
Petkoviqi është pyetur edhe për futjen në rend të ditës të aplikimit të Kosovës në Këshillin e Evropës, gjë të cilën sërish e lidhi me zgjedhjet në katër komunat veriore. “A është pra kjo e ashtuquajtura Kosovë, ku lulëzon demokracia, ku votojnë 13 serbë?”.