Petrit Nimani, njohës i çështjeve kushtetuese dhe zgjedhore shpjegon procedurat e krijimit të institucioneve
Kuvendi i Republikës së Kosovës ka 120 ulëse, prej tyre 20 ulëse janë të garantuara për komunitetet joshumicë, përkatësisht 10 për komunitetin serb dhe po aq për komunitetet tjera joshumicë.
Neni 66 i Kushtetutës së Kosovës e parasheh mënyrën e konstituimit të Kuvendit. Aty përcaktohet se Kuvendi zgjedhet me mandat katërvjeçar, duke filluar nga dita e seancës konstituive, që mbahet brenda tridhjetë ditëve nga dita e shpalljes zyrtare të rezultateve të zgjedhjeve.
Petrit Nimani, njohës i çështjeve kushtetuese dhe zgjedhore ka thënë se
presidenti i Republikës së Kosovës e thërret seancën e parë të Kuvendit.
“E në rast se ai nuk është në gjendje të thërrasë seancën e parë brenda afatit 30 ditë, Kuvendi mblidhet pa pjesëmarrjen e presidentit. Seanca e parë konstituive udhëhiqet nga dy deputetë, përkatësisht nga deputeti më i vjetër dhe më i riu në sallë”.
“Kuvendi i Kosovës nga radhët e veta zgjedh kryetarin dhe pesë nënkryetarët (Kryesinë e Kuvendit). Kryetari i Kuvendit propozohet nga grupi më i madh parlamentar dhe zgjedhet me shumicën e votave të të gjithë deputetëve të Kuvendit. Kurse tre nënkryetarët, të propozuar nga tri grupet më të mëdha parlamentare, zgjedhen me shumicën e votave të të gjithë deputetëve të Kuvendit, përderisa dy nënkryetarë përfaqësojnë komunitetet që nuk janë shumicë në Kuvend dhe ata zgjedhen me shumicën e votave të të gjithë deputetëve”, ka thënë Nimani për “Epokën e re”.
Ai ka folur edhe për procedurat për formimin e Qeverisë së Republikës së Kosovës.
“Pas konstituimit të Kuvendit, radha i vjen zgjedhjes së Qeverisë. Presidenti duhet që herën e parë t’ia jap të drejtën koalicionit ose partisë që i ka fituar zgjedhjet, si parti ose koalicioni i pari ka të drejten që të propozojë kandidatin për kryeministër, i cili kandidat paraqet përbërjen e Qeverisë para deputetëve dhe deputetët duhet të votojnë me të paktën 50 plus 1 për qind (61 vota të deputetëve) në mënyrë që Qeveria të quhet e zgjedhur”, ka thënë ai.
Ai ka shtuar se zgjedhja e Qeverisë mund të kalojë edhe në rrethin e dytë, nëse në përpjekjen e parë dështohet të sigurohet përkrahja në Kuvend.
“Hera e dytë është në diskrecion të presidentit, pasi që nuk kufizohet t’ia jap mandatin partisë së dytë apo të tretë, por varësisht atij subjekti politik i cili ia dëshmon presidentit se ka numrin e nevojshëm të votave për ta zgjedhur Qeverinë, në mënyrë që të shmangen zgjedhjet e parakohshme”.
“Nëse as herën e dytë nuk zgjedhet Qeveria, atëherë presidenti i Kosovës i shpall zgjedhjet e reja të parakohshme, të cilat duhet të mbahen jo më vonë se dyzet (40) ditë nga dita e shpalljes së tyre”, ka deklaruar Nimani.
/Epoka e re/