Petrit Selimi: Disa diplomatë kanë vlerësuar si hap të duhur kushtet e Kurtit për Asociacionin
Ish-ushtruesi i detyrës së ministrit të Punëve të Jashtme të Kosovës, Petrit Selimi ka bërë me dije se kushtet e kryeministrit Albin Kurti për formimin e Asociacionit janë mirëpritur nga disa vende.
Në llogarinë e tij në “Twitter”, ai ka treguar se për këtë çështje ka biseduar me disa diplomatë të vendeve që e njohin pavarësinë e Kosovës.
Sipas tij, ata kanë vlerësuar se gjashtë pikat e Kurtit për Asociacionin janë hap në drejtimin e duhur.
“Një numër diplomatësh nga shtetet që mbështesin sovranitetin dhe pavarësinë e Kosovës me të cilët kam folur thonë që “6 pikat” janë “hap në drejtimin e duhur”, ka shkruar Selimi.
Ai ka bërë me dije se shumica e pikave janë të ngulitura në planin franko-gjerman.
Selimi ka vlerësuar se koha është shumë e rëndësishme në këtë drejtim.