Petritsch: Ndalimi i dinarit formalisht i drejtë, por politikisht jo
Diplomati i njohur austriak Wolfgang Petritsch ka thënë se vendimi i Kosovës për ndalimin e dinarit serb nuk është i duhur në aspektin politik.
Ai në një intervistë për magazinën “Lajmet e Fundit” ka thënë se në aspektin e kushtetutshmërisë Kosova ka të drejtë për një vendim të tillë, por sipas tij një gjë e tillë nuk është dashur të vjen në këtë periudhë.
“Formalisht Kosova ka të drejtë të vendos për përdorimin e euros si valutë e vetme. Por, në aspektin politik nuk besoj që është një vendim i mençur që kjo të bëhet aktualisht, sepse ka një ngecje madhore në negociata. Besoj që kryeministri Kurti është dashur që këtë ta bënte në ndërlidhje me BE-në“, ka theksuar Petritsch.
I pyetur për masat e BE-së kundër Kosovës, Petritsch ka thënë se ai nuk është fare dakord me masat kufizuese as ndaj Kosovës dhe as ndaj Serbisë.
“Besoj se BE duhet të ecë përpara në frymë pozitive. Jam skeptik që këto masa ndëshkuese kanë ndonjë kuptim”, ka thënë ai.
Diplomati austriak i ka bërë thirrje kryeministrit Kurti që ta bëjë një hap përpara drejt krijimit të Asociacionit.
”Do të ishte në interes të vendit të jetë më fleksibil në kuptimin e pranimit të të drejtave të pakicave, por kjo nuk do të thotë se këto pakica ta sundojnë më pas gjithë vendin. Asociacioni do të duhej të ishte shumë i dobishëm sepse paratë nga Beogradi që hyjnë në Kosovë, pasi që të ekzistojë Asociacioni, atëherë do të duhej të shkonin përmes Prishtinës. Do të kishte më shumë transparencë e llogaridhënie. Kjo do ta bënte më të lehtë normalizimin e marrëdhënieve”, ka shtuar ai.
Ai ka thënë se sulmi i 24 shtatorit duhet të hetohet dhe njerëzit që janë prapa atij sulmi duhet të japin llogari, teksa ka thënë se Kosova duhet të bëhet anëtare e OKB-së dhe herë do kur edhe anëtare e BE-së.