Petrol Company bën me shtëpi dy familje skamnore në Gjakovë
Petrol Company ka bërë sot dorëzimin e çelësave të shtëpive për dy familje në Komunën e Gjakovës.
Sot, një ditë para festës së Kurban Bajramit, familja pese anëtarëshe e Latif Halilajt dhe familja dy anëtarëshe e Idriz Halilajt kanë hyrë në shtëpitë e reja, të cilat janë ndërtuar nga Petrol Company.
Dorëzimin e çelësave për familjet e ka bërë vet pronari i Petrol Company, Shkelzen Jusaj, i cili tha se ndjehet shumë i lumtur që po bëhen me shtëpi dy familje.
“Jemi këtu sot t’i dorëzojmë çelësat dy familjeve Halilaj, të cilët kanë qenë dhe ishin familje në nevojë, të cilat nuk janë tani. Gjithashtu i falënderoj shumë edhe komunën e cila na ka suportuar me dokumentacionin e nevojshëm, hoxhën dhe kompaninë Iliria e cila ka dhuruar dy kuzhina për këto dy familje. Petrol Company falënderon shumë edhe klientët e saj, të cilët për faktin që janë klientë të Petrol Company kanë bërë të mundur ndërtimin e këtyre dy shtëpive, si shumë shtëpi të tjera. Ne gjithmonë kemi shpërndarë edhe mesazhe në të kaluarën, i falënderojmë kompanitë të cilat e kanë marrë seriozisht mesazhin që ta ndjekin shembullin e njëjtë. Shpresoj që edhe në të ardhmen ta ndjekin këtë shembull”, tha ai.
Përfaqësuesi i Komunës së Gjakovës, Zymber Berisha, falënderoi Petrol Compay që ka bërë me kulm mbi kokë dy familje.
“E falënderojmë Petrol Company me pronarin Shkelzen Jusaj i cili ka bërë të mundur ndërtimin e këtyre dy shtëpive, pikërisht në këtë ditë të madhe të festës së Kurban Bajramit. Urojmë që familje të ketë shëndet, mbarësi dhe suksese”, tha ai.
Kurse hoxha Abdurrahman Bejtullahu, tha se falë ndihmës së Petrol Company dy familje tashmë po rehatohen në shtëpi të reja.
“Është një ditë gëzimi sepse kjo familje tash e 20 vite nuk ka pasur një gëzim më të madh sesa sot. Këto janë dy familje që rehatohen. Besoj që shpërblimin më të madh e kanë ata të cilët e mbajnë kompaninë dhe klientët shpërblehen më së shumti. Ishalla Zoti e shton bereqetin dhe trashëgohen brez pas brezi kjo shtëpi e madhe”, tha ai.
Me shtëpi të re është bërë Latif Halilaj, i cili falënderoi Petrol Company që e ka bërë me kulm mbi kokë.
Ai thotë se për 20 vite kishte jetuar në kushte shumë të rënda, por që tash falë Petrol Company, ai u shpreh se fëmijët e tij do të kenë kushte më të mira.
“Nuk e kam pritur që vjen, 20 vjet në kushte të vështira. Zoti i shpërbleftë kompaninë, drejtorin bashkëpunëtorët e tij, komunën…shumë të lumtur jemi unë jam vet i pesti, vëllau është vet dhe gruaja…Kemi dyfish festë, se kam pritur qeta që vjen”, tha ai.
Edhe Idriz Halilaj që jeton vetëm me gruan e tij është bërë me shtëpi. Ai u shpreh falënderues ndaj Petrol Company që i ka zgjidhur çështjen e banimit njëherë e përgjithmonë./KosovaPress/