“Petrol Company” hap rrjetin e restoranteve “Be happy”
Në kuadër të “Petrol Company”, në pikën në Fushë Kosovë, është hapur restoranti “Be happy”, që mëton të sjellë ushqime të shëndetshme dhe t’u ofrojë klientëve mundësi për të menaxhuar kaloritë që marrin nga ushqimi.
Pronari i “Petrol Company”, Shkëlzen Jusaj tha se kanë investuar shumë në këtë brend të ri, bazuar në kërkesat e tregut. Ai shtoi se përmes menysë së tyre, synojnë t’u ofrojnë klientëve ushqim të shëndetshëm. “Në bazë të kërkesave dhe në bazë të hulumtimeve tona, kemi arritur deri te një zgjidhje, deri te një meny e re, e cila është kryesisht e bazuar në produktet bio dhe secili ka mundësi ta dijë saktësisht se sa kalori ka marrë, duke e pasur parasysh se sot fast-food dhe ushqimet nëpër botë, janë problemi kryesor i problemit me peshën e qytetarëve. Kemi arritur në një përfundim që ne ta ofrojmë një meny ndryshe, një formë të vetmenaxhimit të kalorive, të cilat një organizëm ose person, i caktuar ka nevojë ose dëshiron t’i marrë”, ka thënë Jusaj.
Kurse shefi i kuzhinës për këtë rrjet të restoranteve, Noli Mala tha se ky rrjet i restoranteve do t’u ofrojë mundësi klientëve të ushqehen shëndetshëm, e njëherësh përgëzoi Shkëlzen Jusajn për këtë iniciativë.
“Ushqimi i shëndetshëm dhe bio varet prej shumë elementeve. Të gjithë makronutrientët dhe mikronutrientët me qenë me një pjatë është shumë e vështirë. Kështu që rrjeti i ‘Be Happy’ do të ofrojë këtë mundësi për të gjithë ne”, ka thënë Mala.
Përndryshe, pika ku u hap restauronit “Be Happy”, është edhe vendi i parë ku filloi rrugëtimi i kompanisë Petrol, e që pikërisht sot shënoi 18 vjetorin e themelimit.