Petroviqi: Askush s’e di çfarë bëhet në dialogun Kosovë-Serbi
13 dhjetor 2017
| 12:58
Deputeti serb Slobodan Petroviq ka thënë se dialogu mes Kosovës dhe Serbisë është proces krejt jo transparent, rrjedhimisht askush nuk e di se çfarë po bëhet gjatë atyre bisedimeve.
Ai ka deklaruar se megjithëse është deputet në disa legjislatura, di fare pak, për të mos thënë asgjë fare, për këtë dialog, që sipas tij mbahet fort i mbyllur për opinionin publik, njofton “Klan Kosova”.
Ngjashëm i ka cilësuar këto bisedime edhe deputeti i LDK-së, Arben Gashi, që ka theksuar se përmes këtij dialogu Serbia po mundohet ta shtrijë edhe më ndikimin e saj në Kosovë.
Sipas tij, secilën herë që palët kanë arritur marrëveshje, të dyja taborët e kanë shpallur triumfin, megjithëse asnjëra nuk e ka arritur atë që ka synuar në krye të herës.