Petroviqi: Personi që më sulmoi ishte Milan Kostiq, këshilltari i ish-ministrit Nenad Rikallo
Deputeti i Kuvendit të Kosovës, Sllobodan Petroviq është sulmuar sot në afërsi të ndërtesës së Kuvendit të Kosovës.
Këtë e ka konfirmuar vetë Petroviq gjatë një konference për media.
“Në mëngjes isha mysafir në programin e mëngjesit në RTK, aty i kam paraqitur disa të dhëna për ish-ministrin e Bujqësisë Nenad Rikallo. Pastaj kam hyrë në një restorant këtu afër Kuvendit për të pirë kafe me disa miqë, dhe personi që më sulmoi ishte këshilltari i Rikallos, Milan Kostiq, i cili për ne të gjithë nga komuniteti serb është i njohur për të keq, pasi që i njëjti në mënyrë të pandërprerë disa vite me radhë në çdo mënyrë është munduar të deskriditoj mua dhe partinë që unë e udhëheq, duke shkruar tekste të rrejshme, dhe kjo nuk i mjaftoi, i njëjti i ka kërcënuar edhe njerëzit sidomos në zgjedhjet e fundit, të cilët kanë votuar me partinë Liberale Serbe”, u shpreh Petroviq, duke treguar se Kostiq i kishte thënë se “do ta thyej kokën”, përderisa mbante në dorë një shishe të qelqit.
Petroviq ka thënë se ky sulm nuk është i rastit, dhe se ata nuk mund ta frikësojnë.
“Kjo nuk është e rastit, dhe ato mendime që i kam thënë edhe publikisht, mund të më sulmojnë edhe fizikisht edhe të më vrasin, por unë nuk frikësohem”, ka thënë Petroviq.
“Ju e dini që në muajt e fundit është bërë një fushatë kundër meje dhe partisë sime për arsye se ka 15 vjet që po e udhëheq një politikë që është e njohur deri më tani për bashkëjetesën dhe tolerancën. I jam drejtuar me letër edhe presidentit të Serbisë, Vuçiq, meqë e dini që ai disa herë e ka përmendur punën time dhe mua duke thënë të pavërteta dhe i kam thënë t’i verifikojë mirë faktet”, ka thënë Petroviq.
Ai ka thënë se askush nuk mund ta detyrojë atë që ta ndryshojë politikën e tij në raport me zhvillimet në Kosovë.
“Ajo qe dua të them edhe një herë është se nuk ekziston asnjë parti dhe asnjë president që do të më detyrojë mua dhe kolegët e mi partiakë që të ndryshojmë politikën tonë. Nuk ekziston ajo politikë që të më detyrojë që të fjalosem me komshinjtë e mi ose të luftojmë, sepse kjo politikë ka bërë që të bien me qindra mijëra viktima. Dua të jemi pjesë e familjes së madhe evropiane ku ka shumë komunitete dhe popuj. Këtë e kemi thënë që nga dita e parë dhe gjersa të ekzistoje partia ime dhe sa të jem gjallë ne do të veprojmë në atë mënyrë”, ka deklaruar Petroviq.