Pezullimi i ndihmave amerikane ndihet në mbarë globin

29 janar 2025 | 06:23

Organizatat që zbatojnë programe të financuara nga qeveria amerikane në mbarë botën kanë filluar të shkurtojnë personelin, të mbyllen, ose po përgatiten për ndaljen e operacioneve, pas ngrirjes së pashembullt të gjitha ndihmave ndërkombëtare, të vendosur nga administrata e Presidentit Trump.

Të hënën, mbi 50 zyrtarë të lartë të Agjencisë Amerikane për Zhvillim Ndërkombëtar – USAID, që po merreshin me zbatimin e urdhrit të presidentit për ngrirjen e ndihmave, u pezulluan nga puna me pagesë.

Drejtori në detyrë i USAID-it tha se ai po heton nëse zyrtarët po i rezistonin urdhrave të Presidentit Trump.

Qëndrimi i SHBA-së për dekada ka qenë që ndihma e dhënë vendeve të tjera, i kthehet mbrapsht Amerikës në formën e forcimit të sigurisë kombëtare, stabilizimit të rajoneve dhe përmirësimit të marrëdhënieve me partnerët.

Vendet aleate, ndër to Ukraina, po përpiqen të shpëtojnë një pjesë të fondeve për sigurinë e tyre nga masa e ngrirjes 90-ditore, të urdhëruar javën e kaluar nga Presidenti Donald Trump, që pezulloi gjithashtu edhe programet e ndihmave dhe kreditë federale brenda Shteteve të Bashkuara.

Administrata Trump thotë se urdhëroi ndalimin e ndihmës për vendet e tjera, për t’i dhënë kohë për të vendosur se cilat nga mijëra programet humanitare, të zhvillimit dhe të sigurisë do të vazhdojnë të marrin fonde nga Shtetet e Bashkuara.

Ndërkohë, zyrtarët amerikanë urdhëruan që programet t’i ndalnin shpenzimet menjëherë. Përjashtim bëjnë vetëm programet ushqimore emergjente dhe ndihmat ushtarake për dy vende aleate, Izraelin dhe Egjiptin.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Gerti, banori që kishte hyrë në shtëpi në të njëjtën…