Pezullimi i taksës, i domosdoshëm

21 janar 2019 | 11:29

Njohësi i proceseve politike, Shkëlzen Maliqi, ka thënë se qëndrimet e ndryshme të presidentit Thaçi dhe të kryeministrit Haradinaj nuk kanë të bëjnë me taksën si të tillë, por me marrëveshjen përfundimtare Kosovë – Serbi.

Në këtë intervistë dhënë për gazetën “Epoka e re”, ai ka deklaruar se hapja e temës për korrigjim të kufijve ka frustruar kundërshtarët e tij në Kosovë.

“Qëndrimet e ndryshme kushtëzohen jo me vetë taksën si të tillë, por me qëndrimet diametralisht të kundërta rreth paketës ende të pahapur të marrëveshjes përfundimtare politike në mes të Kosovës dhe Serbisë që, si duket, është esencialisht e draftuar, sepse nuk do të përmendeshin afatet e shkurtra për aprovimin e saj”, është shprehur Maliqi, duke shtuar se taksa ndaj mallrave serbe po shërben si element shtesë për bllokimin e dialogut, duke rrezikuar realizmin e marrëveshjes Kosovë – Serbi.

Ai ka thënë se Kosova duhet t’i trajtojë seriozisht kërkesat e Shteteve të Bashkuara të Amerikës për pezullimin e taksës ndaj Serbisë.

Maliqi ka theksuar se pezullimi i taksës është i domosdoshëm meqë po i rrezikon marrëdhëniet e Kosovës me Amerikën, aleaten kryesore.

Madje ai ka thënë se mund të vihet në pikëpyetja edhe ndihma për mbështetjen e ushtrisë së Kosovës.

“Pezullimi është i domosdoshëm sepse rrezikon jo vetëm marrëdhëniet tona me aleatin kryesor, por cenon në mënyrë të drejtpërdrejtë interesat e ShBA-së”, ka thënë ai. Sipas Maliqit, deri më tani angazhimi i ShBA-së na ka sjellë shpëtim dhe favore të konsiderueshme në shtetndërtim e jo dëme. “Qeveria jonë assesi nuk duhet të pengojë një proces mes superfuqive. Sigurisht, është legjitime nga ana e jonë të reflektojmë çfarë mund të na sjellë ky proces, por jo me dyshime paraprake, duke pasur parasysh përvojën se deri më sot angazhimi i ShBA-së na ka sjellë shpëtim dhe favore të konsiderueshme në shtetndërtim, assesi dëme”, ka thënë ai.

Sipas Maliqit, taksa po shërben si element shtesë për bllokimin e dialogut duke rrezikuar realizmin e marrëveshjes Kosovë – Serbi.

“Nëse ai përfundon, siç pritet, me njohje të shtetit të Kosovës nga Serbia dhe në OKB, do të ishte gabim historik që të pengohet kjo nga frika spekulative”, ka deklaruar ai.

“Epoka e re”: Z. Maliqi, këto ditë është shtuar presioni ndaj Kosovës për heqjen e taksës ndaj produkteve serbe. Si duhet të veprojë kryeministri Haradinaj tash e tutje?
Maliqi: Kryeministri Haradinaj është dashur të reflektojë seriozisht ndaj presioneve e jo të insistojë me kryeneçësi për vazhdimin e taksës. Ai është kthyer sërish në një situatë si atëherë kur ishte kategorikisht kundër ratifikimit të demarkacionit me Malin e Zi pavarësisht prej qëndrimeve të amerikanëve dhe evropianëve se nuk ka të drejtë. Dhe, pasi na humbi shumë kohë, më vonë u detyrua, pasi u bë kryeministër, ta pranojë demarkacionin. Atij mbase i ka mbetur zhig pse atëherë u detyrua të lëshojë pe dhe tash po rreshtohet përkrah atyre që po thonë se çështja e taksave nuk i dëmton marrëdhëniet e Kosovës me ShBA-në. Por, ky është gabim sepse në mesazhin e ashpër nga Uashingtoni thuhet se përkrahësit e taksës do të ndëshkohen, madje përmenden me emra, sikundër që do të rishqyrtohen raportet me Kosovën, madje vihet në pikëpyetja ndihma për ngritjen e armatës së Kosovës. Këto janë kërcënime serioze dhe nuk duhet të neglizhohen.

“Epoka e re”: Pse mendoni se pezullimi i kësaj takse do të ishte zgjidhja e duhur?
Maliqi: Unë kam bërë një propozim se si do të duhej të vepronte kryeministri Haradinaj ndaj kërkesave të ShBA-së. Masa do të mbetej parimisht në fuqi, por ndaj Serbisë e pezulluar përkohësisht derisa zhvillohet dialogu. Edhe në mesazhin e ShBA-së implicite sugjerohet pezullimi e, nëse dialogu do të dështonte, atëherë do të vazhdonte me automatizëm. Ndërkaq, për Bosnjë Hercegovinën taksa nuk do të pezullohej. Ajo do të vazhdonte, por do të fillonin bisedimet në kuadër të CEFTA-s, që tashmë ka kërkuar Sarajeva, që këmbimi tregtar me këtë shtet të zhvillohet me kushte të barabarta. Një strategji e tillë do të nxirrte qeverinë dhe vetë Haradinajn faqebardhë por, si duket, ai dhe këshilltarët që i ka sikur janë dehur nga rritja e popullaritetit që ua ka siguruar taksa, kështu që nuk po shohin fare pasojat e kryeneçësisë.

“Epoka e re”: Ka pasur deklarime në opinion se mbajtja e taksës po e rrezikon partneritetin me Amerikën e cila po insiston në heqjen e kësaj takse. A mund të ketë zbehje të partneritetit dhe të miqësisë ShBA – Kosovë?
Maliqi: Pezullimi është i domosdoshëm sepse rrezikon jo vetëm marrëdhëniet tona me aleatin kryesor, por cenon në mënyrë të drejtpërdrejtë interesat e ShBA-së. Nuk është thjesht fjalë e gojës dhe kërcënim formal kur Uashingtoni përmend interesat e veta në një çështje që për ne është e madhe, por që dikush këtu e percepton si jo edhe aq të rëndësishme për ShBA-në dhe mund të na falë padëgjueshmërinë. Është një kor i tërë i kryeneçëve që këto ditë po përsërisin se taksa nuk mund ta prishë partneritetin dhe marrëdhëniet e Kosovës me ShBA-në. Madje, ata i anashkalojnë krejtësisht porositë që vijnë nga Uashingtoni. Nëse administrata amerikane sot tregon vendosmëri për angazhim të drejtpërdrejtë në dialogun Kosovë – Serbi, në mënyrë që ai të përfundojë me marrëveshje politike obliguese në afate të shkurtra, ta kujtojmë letrën e presidentit Trump dy kryetarëve, Thaçit dhe Vuçiqit, duhet supozuar se vendosja e Kosovës në këtë lloj të agjendës të përshpejtuar nuk bëhet vetëm për ne, si një çështje në vete, por duhet të jetë pjesë e ndonjë plani më të gjerë çtensionimesh mes ShBA-së dhe Rusisë. Qeveria jonë assesi nuk duhet të bëhet faktor që e pengon një proces mes superfuqive. Sigurisht, është legjitime nga ana jonë të reflektojmë çfarë mund të na sjellë ky proces, por jo me dyshime paraprake, duke pasur parasysh përvojën se deri më sot angazhimi i ShBA-së na ka sjellë shpëtim dhe favore të konsiderueshme në shtetndërtim, assesi dëme.

“Epoka e re”: Kosova nuk është unike sa i përket çështjes së taksës, përderisa kryeministri e kryeparlamentari insistojnë se taksa nuk do të hiqet deri në njohjen e Kosovës nga Serbia. Nga ana tjetër, presidenti është për heqjen e taksës. Si e komentoni këtë qëndrim të ndryshëm të liderëve shtetërorë për taksën?
Maliqi: Qëndrimet e ndryshme kushtëzohen jo me vetë taksën si të tillë, por me qëndrimet diametralisht të kundërta rreth paketës ende të pahapur të marrëveshjes përfundimtare politike në mes të Kosovës dhe Serbisë që, si duket, është esencialisht e draftuar, sepse nuk do të përmendeshin afatet e shkurtra për aprovimin e saj. Se çka përmban konkretisht draftmarrëveshja janë ngritur shumë spekulime pas fushatës gjashtëmujore vitin e kaluar rreth ‘korrigjimit’ të kufijve, që disa e kuptonin si shkëmbim territoresh dhe të popullsisë, e disa si copëtim të Kosovës. Fakti se presidenti Thaçi ka qenë ndër të parët që e hapi temën e korrigjimit në termet e ngjashme me projektet e mëparshme serbe i ka frustruar kundërshtarët të tij në Kosovë. Ata duke qenë të painformuar në detaje, e as sot nuk e dinë saktë se për çka konkretisht bëhet fjalë, na alarmojnë se po rrezikohet tërësia territoriale dhe sovraniteti i Kosovës. Taksa ndaj mallrave serbe tani shërben si element shtesë për bllokimin e dialogut, duke rrezikuar realizmin e marrëveshjes Kosovë – Serbi dhe festimit e saj në Shtëpinë e Bardhë, që e kishte paralajmëruar presidenti Trump në letrën të dhjetorit.

“Epoka e re”: A parashihni vazhdim të procesit të dialogut në rast se taksa mbetet në fuqi? Nëse po, cila do të jetë dinamika e këtij procesi?
Maliqi: Pikërisht për këtë e kisha fjalën, kur thashë se taksa e rrezikon dialogun, sepse Serbia e kushtëzon dialogun me heqjen e taksës. Me këtë ajo fiton kohë dhe e paraqet Kosovën penguese të arritjes së marrëveshjes politike. Dialogu duhet të vazhdojë. S’po shoh se ka ndonjë alternativë për të qenë. Nga ana tjetër, për këta që reagojnë me panik patriotike, mua më duket se pezullimi i përkohshëm i taksës për disa muaj na mundëson që të shohim se çka po na sjell procesi i marrëveshjes. Nëse ai përfundon, siç pritet, me njohje të shtetit të Kosovës nga Serbia dhe në OKB, do të ishte gabim historik që të pengohet kjo nga frika spekulative. Aq më parë që i kemi garancitë se zgjidhjet eventuale të këqija nuk mund thjesht të na imponohen pasi në Kosovë me mjaft mund dhe dyshime është ndërtuar mekanizmi që pamundëson kalimin e vijave të kuqe të interesit kombëtar. Për t’u jetësuar marrëveshja politike ajo duhet të ratifikohet në Kuvendin e Kosovës.

Shqipe HETEMI

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, me rastin e…