Pezullimi i taksës të shfrytëzohet për të përfituar Kosova
Kryetari i Lëvizjes për Bashkim (LB), Valon Murati, ka theksuar se deri më tani taksa i ka arritur tri qëllime kryesore: E para, ka dëshmuar se Kosova është shtet sovran. E dyta, ka sensibilizuar opinionin publik, përkatësisht qytetarët e Kosovës që t’i bojkotojnë mallrat serbe dhe të konsumojnë prodhime vendore. E treta ka të bëjë me dëmin ekonomik që i shkaktohet Serbisë.
Në këtë intervistë dhënë për gazetën “Epoka e re”, Murati ka thënë se është koha që të dëgjohen këshillat e partnerëve amerikanë për pezullim të taksës.
Megjithatë, ai ka thënë se nga pezullimi i taksës Kosova do të duhej të përfitonte në marrëveshjen e CEFTA-s dhe në ndaljen e veprimeve destruktive të diplomacisë serbe.
Sipas tij, nëse nuk shfrytëzohet edhe kjo pak kohë, gjasat janë shumë të mëdha që me rritjen e presionit Kosova do të detyrohet që ta heqë taksën pa përfituar asgjë.
“Epoka e re”: Z. Murati, sërish zyrtarët e lartë amerikanë gjatë vizitës në Prishtinë kanë qartësuar sugjerimin e tyre për pezullimin e taksës. Si e keni parë vizitën e tyre?
Murati: Në radhë të parë më duhet të theksoj se vendosja e taksës ndaj prodhimeve serbe ishte një hap i duhur i Qeverisë së Kosovës. Ne duhet të ndërtojmë një politikë të reciprocitetit me Serbinë në të gjitha fushat. Kjo duhet të shkojë kështu si princip deri në zgjidhjen e çështjes shqiptaro-serbe, apo atë që po quhet marrëveshje finale. Në këtë drejtim madje kemi qenë të vonuar. Sidoqoftë si LB kemi theksuar që nga fillimi se vendosja e drejtë e taksës nuk do të duhej të ndikonte në zbehjen e marrëdhënieve të Kosovës me aleatët e saj SHBA-të dhe BE-në si dhe nuk do të duhej të dëmtonte marrëveshjen finale me Serbinë. Asaj që i jam frikësuar në kohën kur është vendosur taksa, dhe tash po del më qartë, është se vendosja e saj nuk është bërë pas një analize serioze, e për më tepër nuk është trajtuar rruga dalëse. Për krejt diçka tjetër u tha se u vendos taksa fillimisht, e për krejt diçka tjetër po mbrohet mos pezullimi i saj sot. Kështu u tha se ajo po vendoset si reagim ndaj veprimeve destruktive të Serbisë në Interpol, si reagim ndaj ofensivës së saj në atë që po quhet proces i çnjohjeve të Kosovës si dhe si kundërpeshë në pengesat që i bëhen prodhuesve të Kosovës në Serbi dhe të qarkullimit të lirë të njerëzve. Në këtë periudhën fillestare madje patëm edhe garë se kush e ka propozuar taksën. Ndërkohë kryeministri Haradinaj filloi ta lidh heqjen e taksës me dialogun, rezultatet e tij, njohjen e tash së fundmi me paqartësitë që sipas tij do të sjell vetë dialogu sidomos në planin e idesë së ndryshimit të kufijve. Ky qëndrim i kryeministrit vjen në kohën kur partnerët qeverisës së bashku me PSD-në, kanë miratuar rezolutën për dialogun, ekipin e dialogut dhe tani më kanë paraqitur një draft-platformë për bisedimet. Në këtë drejtim lidhja e taksës me dialogun nuk ka kuptim, sepse pse ke hartuar atëherë gjithë ato dokumente edhe ashtu super të ngurta sa i përket çështjes së integritetit territorial dhe pse ke krijuar ekipin e negociatave. Duket se në këtë situatë askush nuk i beson askujt, e sidomos jo se çka do të ndodh në procesin e dialogut. Kjo situatë ka krijuar një kaos qëndrimesh, të cilat lidhen edhe me matematikat e brendshme të mbijetesës së koalicionit qeveritar. Mirëpo duke e qenë se administrata amerikane ka përcaktuar vitin 2019 si vit të marrëveshjes në mes të Kosovës dhe Serbisë, duke e bërë të qartë edhe përmes letrës së presidentit Tramp dërguar presidentit Thaçi përkrahjen për pavarësinë e Kosovës por edhe për dialogun në mes të dy vendeve, kjo administratë është e interesuar që ky dialog të vazhdojë. Sado që është e padrejtë nga ana e Serbisë që dialogun e ka lidhur me çështjen e taksës, është fakt se dialogu është ndërprerë. Rrjedhimisht kohëve të fundit është shtuar presioni i SHBA-ve mbi Kosovën që të pezullojë përkohësisht taksën. Edhe vizita e fundit e përfaqësuesve të Këshillit të Sigurisë të administratës amerikane ishte në këtë funksion. Tashmë është e qartë se SHBA-të janë të interesuara që Kosova të pezullojë taksën si hap drejt rikthimit në tryezën e bisedimeve. Ajo që doli në publik dje, ishte se ata janë të interesuar që Kosova përveç pezullimit edhe të ketë kërkesa përmes së cilave do të ndaleshin veprimet destruktive të Serbisë në planin e jashtëm si dhe do të kishte një raport të barabartë në planin e tregtisë së lirë dhe të lëvizjes së lirë të njerëzve.
“Epoka e re”: Cilat janë veprimet që duhet t’i ndërmarrin institucionet e Kosovës pas këtyre sugjerimeve?
Murati: Deri më tani besoj se taksa i ka arritur tri qëllime kryesore. E para ka dëshmuar se Kosova është shtet sovran që në raport me Serbinë guxon dhe merr masa reciprociteti. Pra ka dëshmuar një sovranitet të qartë në raport me Serbinë. E dyta, kjo masë ka sensibilizuar opinionin publik, përkatësisht qytetarët e Kosovës që të bojkotojnë mallrat serbe dhe të orientohen më shumë drejt prodhimeve vendore. Ka krijuar rrjedhimisht një ambient më të mirë për prodhuesit vendor, ambient i cili tek në të ardhmen do të ketë efektet e duhura. Gjithashtu ndjenja e bojkotit të mallrave serbe do të mbetet pa marrë parasysh se çfarë ndodh me taksën. Dhe e fundit ka të bëjë me dëmin ekonomik që i shkaktohet Serbisë, dëm i cili ndonëse nuk ka ndonjë analizë të duhur, nuk mbetet pa efekte së paku në atë pjesë të ekonomisë serbe e cila është e lidhur me eksportet në Kosovë. Njëkohësisht kjo situatë, ndonëse ende pa statistika të qarta, ka bërë që prodhimi vendor të konsolidohet dhe rritet. Thashë, se shumica e këtyre efekteve do të vazhdojnë të ndjehen sidomos në të ardhmen. Megjithatë tani është momenti që të dëgjohen këshillat e partnerëve tanë, e sidomos amerikanëve për pezullim të taksës. Por gjithashtu do të duhej të shfrytëzohej si gatishmëria e amerikanëve, ashtu edhe e BE-së që Kosova nga ky pezullim të dal me përfitime si në marrëveshjen e CEFTA-s ashtu edhe në ndaljen e veprimeve destruktive të diplomacisë serbe. Nëse nuk shfrytëzohet edhe kjo pak kohë që kemi, gjasat janë shumë të mëdha që me rritjen e presionit do të detyrohemi të heqim taksën pa përfituar asgjë.
“Epoka e re”: Dy zyrtarët e lartë amerikanë në takimet me liderët institucionalë të Kosovës kanë përmendur edhe hapat tjerë që mund t’i ndërmarrë SHBA-ja ndaj Kosovës, duke përfshirë edhe largimin e trupave nga Kosova. Sa shqetësuese mund të jetë kjo?
Murati: Unë shqetësohem për acarimin e marrëdhënieve dhe faktit qeveria amerikane mund të marrë ndonjë masë sanksioni për qeverinë tonë. Por nuk shqetësohem për fatin e këtyre marrëdhënieve në planin afatgjatë dhe strategjik. Nuk ka dyshim që Kosova por edhe tërë faktori shqiptar në Ballkan janë partner strategjik i SHBA-ve, dhe nuk ka dyshim se SHBA-të kanë një rol të jashtëzakonshëm për çlirimin dhe pavarësinë e Kosovës përmes ndihmës që i dhanë luftës çlirimtare të popullit shqiptar. Andaj duke qenë kështu, kjo marrëdhënie mund vetëm të zbehet në planin ndërqeveritar por asnjëherë në atë ndërshtetëror apo në mes të dy popujve. Më parë mund të ndodh të largohen qeveritë e Kosovës sesa të dëmtohen seriozisht marrëdhëniet në mes të dy vendeve. Në këtë drejtim, besoj se nëse është përmendur çështja e largimit të trupave amerikane dhe bazës në Bondstill, më shumë është përmendur në kontekstin që nëse Kosova e sheh të panevojshëm miqësinë me SHBA-të ata mund ta trajtojnë edhe marrjen e atij hapi në të ardhmen. Por në realitet unë nuk besoj se ajo do të ndodh. Për më tepër SHBA-të dhe NATO po duan që të përforcojnë praninë e tyre ushtarake në trevat shqiptare përmes ndërtimit të bazës ajrore të NATO-s në Kuçovë. Është e qartë se faktori shqiptar, si faktori më pro-amerikan në Ballkan, njëkohësisht është edhe digë për depërtimin e interesave ruse në Ballkan e sidomos në Mesdhe. Madje në funksion të kësaj gjeo-strategjie jam i bindur se amerikanët edhe kanë lejuar hapjen e çështjes së kufijve në mënyrë që përmes ripërcaktimit të kufijve (pjesa shqiptare e Kosovës Lindore do të duhej t’i bashkohej Kosovës dhe tri komunat serbe në veri pa shtatë fshatrat shqiptare t’i bashkohen Serbisë), Kosova të shndërrohet në një shtet funksional dhe pa mundësi të ndikimit destabilizues të interesave ruse. Pra ta përsëris, nuk shoh ndonjë rrezik të largimit amerikan nga Kosova, apo të dëmtimit të raporteve tona në planin afatgjatë. Por ne duhet të mendojmë sa po e dëmtojmë veten duke i vendosur gurë e dru rrugës procesit të bisedimeve me Serbinë. Vazhdimi i status-quos, më së shumti do të dëmtojë Kosovën dhe qytetarët e saj.
“Epoka e re”: Nëse Kosova refuzon t’i dëgjojë këshillat amerikane, a rrezikon që nga bashkësia ndërkombëtare të shihet si palë destruktive në dialog?
Murati: Ende nuk kemi arrit në atë pikë, ndonëse Serbia ka kohë që mundohet të luaj rolin e të mirit në këtë proces. Më shumë sesa të brengosemi se si do të na shohin ne në raport me dialogun, ne duhet të kuptojmë se ne kemi nevojë për të në mënyrë që të zgjidhim problemet me Serbinë Ne duhet ta kuptojmë se raste të tilla kur administrata amerikane është e interesuar të zgjidh problemet në mes të Kosovës dhe Serbisë edhe përmes përkushtimit personal të presidentit Tramp nuk vijnë shpesh. Nëse ne lejojmë të na ik ky rast, ne do ta vuajmë më së shumti. Serbia me ndonjë potez të vogël (siç është heqja e Kosovës nga kushtetuta e saj) mund të ec përpara me integrimet evropiane, ndërsa ne të barrikaduar në idenë e mos-ndryshimit të kufijve, në kushtetutën që i garanton veton serbëve dhe asociacionin që e kemi obligim ligjor do të mbesim jo vetëm larg integrimeve evro-atlantike, por mbi të gjitha një shtet jofunksional e me pak mundësi të merret me çështje jetike të qytetarëve tanë siç janë ekonomia, arsimi e shëndetësia, lufta kundër korrupsionit e sundimi i ligjit. Do të vazhdojmë kështu të sillemi në rrethin vicioz të “temave të mëdha” e të jofunksionalitetit të shtetit e me vështirësi të shtrirjes të sovranitetit real në veri të vendit. Në anën tjetër ne rrezikojmë që popullsia shqiptare nga Kosova Lindore të na dëbohet gradualisht nga vatrat e veta për shkak të presionit dhe mungesës së perspektivës.
“Epoka e re”: Cila duhet të jetë rruga për të dalë nga kjo situatë, në qoftë se nuk arrihet një konsensus për pezullimin e taksës?
Murati: Në situatën e dhënë nuk ka shumë rrugë alternative. E para është pezullimi i taksës. E dyta është krijimi i një qeverie uniteti, të cilën ne si LB e kemi kërkuar që para se të formohej kjo qeveri. Një qeveri e tillë, do të kishte mandat të kufizuar, me shumë gjasa të përfundojë marrëveshjen me Serbinë, dhe ndoshta edhe të realizojë reformën zgjedhore. Dhe varianti i tretë, të cilën përfshirë ndërkombëtarët, askush nuk po e do, së paku jo përtej deklaratave publike, është ideja e zgjedhjeve të reja. Por nuk kam dyshim, se në të gjitha variantet, Kosova do të arrijë të gjejë forcë për të rehabilituar shumë shpejt raportet me SHBA-të por domosdo edhe me BE-në sepse ne nuk e kemi luksin e raporteve të tensionuara me ta.
(Muhamet KOCI)