Pezullohen bisedimet për paqe mes Ukrainës dhe Rusisë
Ukraina këmbëngul për çlirimin e plotë të të gjitha territoreve të pushtuara, prandaj Moska dhe Kievi i kanë ndërprerë bisedimet zyrtare me njëri-tjetrin.
Ukraina dhe Rusia i kanë pezulluar bisedimet për t’i dhënë fund luftës. “Procesi i negociatave varet nga mënyra se si zhvillohen ngjarjet në Ukrainë”, tha në televizion negociatori i Kievit, Mykhailo Podoliak. Situata ka ndryshuar dukshëm që nga fillimi i luftës. Podoliak akuzoi Rusinë se vazhdon të mendojë në stereotipe dhe nuk e kupton situatën reale në Ukrainë pas 82 ditësh lufte. “Deri më sot ata jetojnë në një botë, në të cilën gjoja ekziston nazizmi ukrainas,” shpjegoi Podoliak duke shtuar se ekziston vetëm një “nazizëm rus”.
Sipas Kievit bisedimet mund të rifillojnë vetëm nëse do të ketë propozime konkrete. Sipas Podoljak Kievi kundërshton një zgjidhje për të shpëtuar fytyrën e shefit të Kremlinit, Vladimir Putin.Për më tepër për një armëpushim mund të diskutohet sipas tij vetëm pas një tërheqjeje të plotë të trupave ruse.
Rusia kishte konfirmuar më parë ndërprerjen e përkohshme të bisedimeve. Ukraina është “tërhequr praktikisht nga procesi i negociatave”, tha zëvendësministri i Jashtëm rus, Andrei Rudenko, para gazetarëve në Nizhny Novgorod.
Kremlini akuzon sërish Perëndimin për luftë kundër Rusisë
Pas njoftimeve për kërkesat e Suedisë dhe të Finlandës për anëtarësim në NATO ministri i Jashtëm rus, Sergei Lavrov, tha se ashtu si dhe shtete të tjera neutrale, ato kanë marrë pjesë prej vitesh në manovrat e NATO-s.
“NATO e kalkulon territorin e këtyre vendeve kur planifikon ofensiva ushtarake drejt lindjes, kështu që në këtë kuptim ndoshta anëtarësimi nuk do të sjellë ndonjë dallim të madh“, – tha Lavrovi. Rusia do të shohë se si do të përdoret në praktikë territori i këtyre dy vendeve në Aleancën e Atlantikut të Veriut.
Në të njëjtën kohë, Kremlini akuzoi edhe një herë Perëndimin për luftë kundër Rusisë. “Ato janë shtete armike, sepse ajo që ato po bëjnë është luftë”, theksoi zëdhënësi i Kremlinit Dmitry Peskov. Presidenti Putin kishte folur më parë për një “luftë rrufe” ekonomike me qëllim të sanksioneve perëndimore.Udhëheqja ruse e quan luftën e saj agresore kundër Ukrainës “operacion special ushtarak”./DW