Pezullohen punimet në “Rrugën A”, Rama: Vendimi u mor nga motra e Fitore Pacollit bazuar në interesa politike
Nga Lëvizja Vetëvendosje në Prishtinë kanë thënë se arsye e pezullimit është dyshimi për shkelje ligjore gjatë aktivitetit të prokurimit. Ndërsa Rama duke thënë se nuk i komenton vendimet e gjyqësorit, ka kërkuar nga Organi Shqyrtues i Prokurimit që të ankohet ndaj vendimit.
“Sapo u njoftova nga mediet se shkalla e parë e Gjykatës Komerciale, paska marrë vendim në bazë të të cilit ka atakuar rëndë interesin publik të qytetarëve të Prishtinës, duke i ndaluar punimet në projektin më strategjik të Kryeqytetit dhe momentalisht të Kosovës, ‘Rrugën A’ (Jim Xhema). Vendimi i sotëm, i bazuar plotësisht në interesa politike dhe të grupeve të interesit, të cilat me çdo kusht po përpiqen ta bllokojnë transformimin e Prishtinës, është marrë nga, hiç më pak sesa motra e deputetes së VV-së Fitore Pacolli, gjyqtarja Vlora Pacolli. Megjithëse nuk jam i prirur që të komentoj vendimet e gjyqësorit, në rastin konkret, nuk ka asnjë logjikë të vendoset masë e përkohshme në kundërshtim me interesin publik dhe ndaj një projekti që ndërlidhet edhe me mbrojtjen e jetës e shëndetit të mijëra qytetarëve të lagjes “Mati”, “Kalabria” dhe “Prishtina e Re”, të cilët me vite të tëra po vuajnë nga kundërmimi për shkak të mungesës së kolektorit. Andaj, shpresoj se Dhomat e Shkallës së Dytë të Gjykatës Komerciale nuk do të lejojnë cenimin e interesit publik për interesa të ngushta dhe inate politike”, ka shkruar Rama në Facebook.
Ai po ashtu ka kërkuar nga Këshilli Gjyqësor që të sigurojë që “ky proces të jetë i drejtë, profesional, i paanshëm, dhe i bazuar vetëm në ligj”.