Pezullohen të gjitha vendimet për operimin e gurëthyesve në Malishevë
Kuvendi i Komunës së Malishevës, ka mbajtur mbledhjen e radhës, e cila ishte shtyrë dy herë gjatë muajit dhjetor të vitit të kaluar.
Kjo mbledhje është drejtuar nga kryesuesi i Kuvendit të Komunës së Malishevës, Rrahim Morina. Kuvendi në këtë mbledhje ka marrë disa vendime, e në mesin e këtyre vendimeve është edhe ai për pezullimin e të gjitha vendimeve dhe pëlqimeve për operimin kompanive të gurëthyesve në territorin e Komunës së Malishevës.
“Po ashtu në këtë vendim është kërkuar nga organet përgjegjëse që të marrin masa për revitalizimin e hapësirave të degraduara nga gurëthyesit, si dhe në të ardhmen, pëlqimet dhe vendimet në kërkesat e operatorëve për këtë veprimtari t’i lëshojë Kuvendi i Komunës”.
“Ky vendim i Kuvendit të Komunës, është marrë pas shqyrtimit të peticioneve të fshatrave Bellanicë, Turjakë dhe Panorc, lidhur me përgatitjet për operim të gurëthyesve në afërsi të fshatrave”, ka njoftuar Komuna e Malishevës.