Pezullohet dhënia e lejeve të ndërtimit në Ferizaj
Kryetari i komunës së Ferizajt, Agim Aliu, ka mbledhur të hënën drejtorët e drejtorive komunale, me të cilët ka diskutuar një varg temash të qeverisjes lokale, përkatësisht në drejtoritë që ata drejtojnë.
Drejtorët e Drejtorive Komunale e kanë njoftuar Aliun për ecurinë e punës në zbatim të platformës qeverisëse si dhe hapat që po ndërmerren në planin afatshkurtër në përmbushjen e objektivave të punës.
Ata kanë bërë me dije se janë bërë gati për seancën e radhës të Kuvendit Komunal dhe për dëgjimet buxhetore për hartimin e Projektbuxhetit 2020-2022 të cilat do të fillojnë të martën.
Ndër vendimet më të rëndësishme që ka marrë ekzekutivi i Ferizajt është ai për pezullimin e dhënies së lejeve të ndërtimit, saktësisht për objektet e banimit kolektiv, si masë efektive që do të mundësojë mirëplanifikimin e territorit dhe ndërtimet sipas kritereve dhe standardeve më të larta në këtë fushë.
Kryetari Aliu ka thënë se për herë të parë pas 20 viteve, komuna e Ferizajt po e merr këtë vendim të domosdoshëm për të frenuar keqplanifikimin e territorit dhe për t’i dhënë mundësi që me analizë paraprake të projektohen zonat dhe kushtet e ndërtimit.
/Epoka e re/