Pezullohet ekzekutimi i vendimit për këmbimin e pronave në Prishtinë
Ministria e Financave ka pezulluar ekzekutimin e vendimit të Kuvendit Komunal të Prishtinës për këmbimin e pronës komunale në zonën Prishtina e Re me pronat e dy biznesmenëve në Badoc, ku nuk lejohen ndërtimet. Pezullimi i ekzekutimit të vendimit u bë të njëjtën ditë kur Prokuroria e Shtetit njoftoi nisjen e një hetimi parapenal për këtë çështje, raporton Express.
Në vendimin e Ministrisë që ka publikuar Koha.net thuhet se Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal e ka tërhequr konfirmimin e ligjshmërisë për këtë vendim dhe se e ka kthyer lëndën për rivendosje në Kuvendin Komunal.
“Pezullohet ekzekutimi i Vendimit 01-020-04-236518/23 të dt.26.12.2023, të Kuvendit Komunal të Kryeqytetit lidhur me procedurën e vlerësimit të pronave të paluajtshme të cilat janë objekt i këmbimit përmes këtij Vendimi të Kuvendit Komunal të Kryeqytetit. Procedura e vlerësimit të pronave të paluajtshme e pezulluar sipas paragrafit 1 të këtij Vendimi mund të vazhdojë në momentin e largimit të pengesave ligjore nga Komuna sipas rekomandimeve të MAPL-së.
Tek arsyetimi i këtij vendimi thuhet se tërheqja e konfirmimit të ligjshmërisë është bërë për shkak të “rrethanave të reja ligjore”.
“Megjithatë, MFPT-DTP përmes mjeteve të informimit është njoftuar se MAPL për shkak të rrethanave të reja ligjore e ka tërhequr konfirmimin e ligjshmërisë të lëshuar për Vendimin e Kuvendit Komunal të Kryeqytetit ashtu që çështjen e ka kthyer në Kuvendin Komunal për rivendosje”, thuhet në arsyetim.
Kryetari i Komunës së Prishtinës, Përparim Rama, ka mbajtur dje konferencë për media pas raportimeve të shumta për këtë vendim.
Rama tha se procesi për këmbimin e pronës komunale në zonën Prishtina e Re me pronat e biznesmenëve në Badoc, nuk ka nisur nga ai. Ai tha se e ka trashëguar këtë proces, si pasojë e vendimeve nga Ministria e Ambientit.
“E kam thirr këtë konferencë për shkak se ditëve të fundit kemi qenë cak i sulmeve të shumta që kanë për qëllim denigrimin e qeverisjes se kryeqytetit, por edhe timin personal, duke ju referuar një procesi të këmbimit, proces i cili ka fillu qysh para qeverisjes tonë, pra dy vite para qeverisjes tonë. Pra ky këmbim nuk ka filluar gjatë kohës tonë, por më shumë se dy vite më parë. Edhe kjo si pasojë e vendimeve të Ministrisë së Ambientit”, tha Rama.
Ai deklaroi se procesi nuk ka përfunduar ende dhe se fjalën e fundit për tokën që do të këmbehet do ta thotë Ministria e Financave.
“Ne si kryeqytet jemi duke zbatuar një proces të rregullt i miratuar nga Asambleja Komunale, i vlerësuar nga MAPL dhe është ende proces i papërfunduar, pra është në zhvillim e sipër. Kemi ndjekur të gjitha hapat ligjorë dhe procedural në bazë të vlerësimeve të bëra nga ministritë përkatëse, pasi që pala ka pasur vendime të miratuara nga ministritë për këmbim të pronës, e që e oligon kryeqytetin me vepru… Ministria e Financave ka me përcaktu sa tokë kemi me dhanë, pra Ministria e Financave është i vetmi autoritet që e bën vlerësimin e pronave e jo ne”, tha Rama.
Pas dyshimeve për konflikt interesi, Rama u pyet nëse është përkrahur financiarisht nga dy biznesmenët gjatë fushatës për Kryetar të Prishtinës. Ai e mohoi këtë.
E mohoi edhe se ka pasur marrëveshje të fshehtë me Lëvizjen Vetëvendosje për ta kaluar këtë propozim, duke qenë se asamblistët e kësaj partie ia bënë kuorumin duke qëndruar në sallë kur propozimi u hodh në votim.
“Jo, kurrfarë marrëveshje. Absolutisht jo”, ka deklaruar ai.
Gjatë konferencës, Rama theksoi se vendimi i Kuvendit Komunal është validuar edhe nga Ministria Administrimit të Pushtetit Lokal.
Ministri Elbert Krasniqi ka njoftuar të mërkurën se do të ketë rivlerësim të vendimit, derisa ngriti dyshime se janë vënë në lajthitje nga Komuna. Theksoi dyshimet për deklarim të rrejshëm dhe konflikt interesi.
Për këtë çështje, ai tha se i është drejtuar me shkresë Drejtorit të Policisë, Gazmend Hoxhës dhe Ministrit të Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçlës, për të vlerësuar nëse duhet nisur hetime.
“Unë kam lajmëruar drejtorin e Policisë së Kosovës dhe Ministrinë e Punëve të Brendshme, dhe do të shohim nëse ka deklarim të rrejshëm dhe ne jemi vënë në lajthitje. Ka supozime që faktet që janë prezantuar ndryshojnë nga realiteti. Ka elemente të konfliktit të interesit dhe ka dyshime që i referohet një vendimi të Ministrisë së Ambientit i cili nuk qëndron ashtu”, u shpreh Krasniqi në DPT te Fidani.
Për këtë vendim, tashmë është aktivizuar Prokuroria e Shtetit. Sot ushtruesi i detyrës së Kryeprokurorit të Shtetit, Besim Kelemendi ka konfirmuar për Kohën se Prokuroria Speciale tashmë ka filluar hetim parapenal për këtë rast
“Prokuroria Speciale tashmë ka filluar hetim parapenal për këtë rast”, ka theksuar Kelmendi.
Çka thuhet në vendimin e Kuvendit Komunal?
Në vendimin e Kuvendit Komunal thuhet se këmbimi i pronave me dy biznesmenët është bërë për shkak të realizimit të Planit rregullues “Prishtina e Re – Zona Qendër”, i miratuar me vendimin e Kuvendit të Komunës së Prishtinës, të datës 2 tetor të vitit 2013.
“Mënyra dhe kushtet e këmbimit të pronës së paluajtshme do të përcaktohen me kontratë, e cila lidhet dhe nënshkruhet në mes të Kryetarit të Komunës dhe pronarit të parcelës kadastrale që do të këmbehen.”, thuhet tutje në vendim
Propozimin për këtë këmbim, Rama e ka bërë duke u thirrur në një përgjigje të Ministrisë së Ekonomisë dhe Ambientit, të datës 22 dhjetor 2020. Në atë kohë, Ministër ka qenë Blerim Kuqi.
Në vendim thuhet se Ministria e Ekonomisë dhe Ambientit kishte dhënë pëlqimin për këmbim.
“Propozimi për inicimin e këmbimit të parcelës/ ave të tokës me pronarët e cekur në pikën II, është bërë për shkak të realizimit të Planit rregullues “Prishtina e re – Zona qendër”, i miratuar me Vendimin e Kuvendit të Komunës së Prishtinës dhe Përgjigja nga Ministria e Ekonomisë dhe Ambientit…”, thuhet në vendim.