Pezullohet greva e aktorëve
Kështu u shpreh në një konferencë për media të premten, ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Kujtim Gashi.
Me këtë marrëveshje mes palëve, pezullohet greva e aktorëve të teatrit dhe nga fillimi i vitit 2018, aktorët por edhe të gjithë krijuesit e performuesit nëpër institucionet tjera të kulturës do t’i marrin rrogat me rritje, në bazë të rregullores së re që do të hartohet nga ky grup punues. “Më lejoni t’i falënderoj përfaqësuesit e Shoqatës Sindikale për mirëkuptimin dhe për gatishmërinë që këto tre muajt në vijim bashkërisht të punojmë në plotësimin e këtij dokumenti dhe që nga janari Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit në koordinim edhe me Ministrinë e Financave, me Qeverinë dhe Kuvendin e Kosovës të marrin vendim për rritje të pagave për këto kategori dhe për këtë jemi dakorduar edhe me Shoqatën Sindikale”, ka thënë ministri Gashi.
Ai ka shtuar se janë në fazën e hartimit të buxhetit për vitin 2018. “Bashkërisht do të ulemi dhe do të shohim sa do të ketë implikime buxhetore rritja e pagës për të gjithë krijuesit dhe përformuesit që do të parashihen me rregullore, pas plotësim-ndryshimit të saj”, u shpreh ndër të tjera ministri.
Ndërkaq, kryetari i Shoqatës Sindikale, Ismet Azemi, u shpreh se pas takimeve të shumta kanë arritur në një marrëveshje. “Me këtë hap kemi arritur një qëllim të rëndësishëm sa i përket kërkesave tona dhe përmbush nevojat e komunitetit tonë. Dhe me këtë e shprehim mirënjohjen dhe falënderimin për gatishmërinë e ministrit dhe të MKRS-së për të arritur deri tek realizimi i zotimeve tona”, ka thënë Gashi.