Pezullohet greva në Aeroportin ‘Adem Jashari’, pritet të vazhdojë javën e ardhshme
Kontrollorët e trafikut ajror në Aeroportin Ndërkombëtar të Prishtinës, “Adem Jashari”, kanë thënë se nuk do të mbajnë grevën e paraparë për të shtunën dhe të hënën e javës së ardhshme.
Kryetari i Sindikatës së Kontrollorëve Ajrorë, Artan Hasani, ka thënë për “Radion Evropa e Lirë” se greva do të vazhdojë përsëri javën e ardhshme, përkatësisht në ditët e vikendit.
“Ne do ta mbajmë grevën e paraparë për sot (e premte) deri në orën 16:00 por nuk do të mbajmë grevë të shtunën dhe të dielën. Greva do të vazhdojë javën e ardhshme, ditën e premte, të shtunën dhe të dielën me nga 12 orë”, ka thënë Hasani.
Kontrollorët ajrorë sot kanë hyrë në ditën e tretë të grevës, me kërkesën e vetme të mospërfshirjes së tyre në Ligjin për paga, për shkak të, siç thonë, cenimit të pavarësisë së këtij institucioni.
Ligji i ri parasheh ulje të pagave për kontrollorët ajrorë.
Menaxheri i planifikimit të fluturimeve në Aeroportin Ndërkombëtar të Prishtinës, Driton Hyseni, ka njoftuar përmes një komunikate në rrjetin social në “Facebook” se janë anuluar tetë fluturime për shkak të grevës.
“Gjithsej të planifikuara kemi pasur 19 arritje e 19 shkuarje, por për shkak të grevës janë anuluar 8 arritje dhe 8 shkuarje. Aktualisht mbeten 11 arritje dhe 11 shkuarje në plan të realizohen. Kuptohet se disa nga fluturimet janë riprogramuar duke evituar kornizën kohore të grevës së paralajmëruar për sot”, ka thënë Hyseni.
Të enjten, Ministria e Infrastrukturës dhe Transportit e Kosovës ka njoftuar se ka pranuar me shqetësim vazhdimin e grevës nga kontrollorët e trafikut ajror.
“Për shërbimet e rëndësisë jetike, siç është shërbimi i navigimit ajror, nevojiten të plotësohen disa kushte të caktuara dhe të sigurohet minimumi i procesit të punës gjatë grevës, duke mos e rrezikuar në asnjë moment sigurinë e aviacionit, jetën apo shëndetin e njerëzve dhe duke parandaluar shkaktimin e dëmit me pasoja të mëdha”, është thënë në komunikatën për media të Ministrisë së Infrastrukturës.
Ndërkohë Autoriteti i Aviacionit Civil i Kosovës, iu ka bërë thirrje kontrollorëve të trafikut ajror që të ndërprenë grevën duke pasur parasysh pasojat e mëdha për publikun që udhëton dhe humbjet tjera direkte e indirekte që mund të shkaktohen.