Pezullohet nga puna zyrtari i Institucionit të Avokatit të Popullit, ‘denoncoi keqpërdorimet’
Institucioni i Avokatit të Popullit (IAP), ku qytetarët e Kosovës e shfrytëzojnë të drejtën për të kërkuar mbështetje juridike, po akuzohet nga zyrtari i këtij Institucioni Hakif Imeri së është pezulluar padrejtësisht nga vendi i punës.
Pezullimi nga puna e zyrtarit të burimeve njerëzore, Hakif Imeri, është bërë me vendim të sekretarit të përgjithshëm të IAP-së.
Arsyetimi për këtë vendim i sekretarit Jashar Kastrati është së Hakif Imeri ka kryer vepër penale – falsifikim të dokumenteve, dhe për të njëjtin rast, sekretari ka ngritur kallëzim penal në Prokurori.
Lidhur më këtë KALLXO.com i ka dërguar pyetje Prokurorisë, por deri në publikimin e këtij artikulli nuk ka pranuar përgjigje.
Ndërsa, një vepër të tillë penale e ka mohuar zyrtari Imeri, i cili thotë se pezullimi i tij nga puna është bërë për shkak të denoncimit të tij në media për keqpërdorimet e parasë publike që janë bërë në IAP.
“Unë jam larguar nga puna më 09.01.2024. Largimi im nga puna vjen si pasojë e denoncimeve të mia në media për keqpërdorimet dhe abuzimet e parave të taksapaguesve – qytetarëve të Kosovës, fondeve të Bashkimit Europian dhe donatorëve të tjerë” – ka thënë Hakif Imeri.
Madje, Imeri ka thënë së ka bërë ankesë në komisionin e ankesave dhe komisioni i ka dhënë këshillë juridike ta dërgojë këtë rast në gjykatë.
“Sekretari i përgjithshëm më jep këshillë juridike me shku në komision të ankesave dhe nuk e pret vendimin e komisionit të ankesave, nxjerr tjetër vendim. Ndërsa, Komisioni i Ankesave ma jep këshillë juridike më shku në gjykatë, d.m.th. për çështje të pozitës për burime njerëzore lëndën e kam në gjykatë” – thotë Hakif Imeri.
Vendimi i komisionit disiplinor i datës 09.01.2024 kishte pezulluar nga puna zyrtarin Hakif Imeri me efekt të menjëhershëm, duke e zbritur pagën bazë me 50% dhe duke e obliguar sekretarin e përgjithshëm që t’i drejtohet prokurorisë për këto pretendime.
Ndërsa pas 3 muajve, i njëjti komision ka nxjerrë vendim të ri duke e shfuqizuar vendimin e lartcekur dhe duke e obliguar sekretarin ta kthejë në punë Hakif Imerin me të gjitha të drejtat që i ka gëzuar më herët.
“Anulohet vendimi datës 09.01.2024. Obligohet Sekretari i Përgjithshëm i IAP-së që të ndërmerre veprimet administrative për kthimin në punë të z.Hakif Imeri me të gjitha të drejtat të cilat i ka gëzuar deri në marrjen e vendimit të datës 09.01.2024 dhe me kompensim në 50% të pagës të ndaluar sipas këtij vendimi” – thotë vendimi i komisionit disiplinor i datës 11.03.2024.
Mirëpo, IAP nuk po e zbaton këtë vendim duke e konsideruar si të kundërligjshëm edhe pse i njëjti vendim del nga organet e këtij institucioni.
“IAP nuk ka mund të zbatoj Vendimin nr. 82/2024 i datës 11.03.2024, të marr/nxjerr këtë vendim të kundërligjshëm nga Komisioni Disiplinor, – për faktin ligjor së Komisionin Disiplinor i IAP e ka rimarr/ri-nxjerrë këtë vendim Jo sipas autorizimeve/kompetencave ligjore” – thuhet në përgjigjen e IAP-së.
Ndër të tjera, zyrtari Imeri ka treguar edhe për raportet me sekretarin Jashar Kastrati që, sipas tij, nuk ka asnjë kontakt me sekretarin nga data 07.10.2023 pasi i njëjti e kishte ofenduar më fjalë të rënda në një mbledhje ku është diskutuar për një rregullore.
“Më 07.10.2023 na fton në një takim pune. Aty kanë qenë edhe gjashtë të punësuar tjerë për me bisedu për rregulloren e pasurisë dhe aty shpërthen dhe më ofendon me fjalët ku janë me të rënda sekretari Jashar Kastrati, duke m’u referuar me fjalët: “Ti je budallë, ti je hajn, ti je lopë, ti je i poshtër, ti s’punon” dhe prej asaj date më nuk kam kontakt, nuk më thirrë as në takim” – ka njoftuar zyrtari Hakif Imeri.
Për gjitha këto Imeri thotë së është i njoftuar edhe Avokati i Popullit, Naim Qelaj, dhe sipas tij ky i fundit nuk ka ndërmarrë asgjë lidhur më pezullimin e tij.
“E dërgoj një email te i gjithë stafi dhe te Avokati i Popullit, nuk ndërmerr asgjë Avokati i Popullit edhe vazhdon ai (sekretari) me komisione disiplinore më pezullon, me largon nga puna” – ka thënë Imeri.
Kallxo.com ka kërkuar sqarim nga IAP për të gjitha këto pretendime nëse janë të vërteta, por deri në publikimin e këtij lajmi nuk kemi pranuar përgjigje.
Hakif Imeri ka thënë se edhe më herët i është ndërruar pozita dhe sipas tij kjo ka qenë e qëllimshme pasi që në pozitën e tij është emëruar një familjar i ish-Avokatit të Popullit, Hilmi Jasharit.
“Në 2017 ish-Avokati i Popullit, Hilmi Jashari, për me e rehatu nipin e vet, Mentor Miftarin, nga pozita e shoferit e emëron zyrtar të pasurisë, mua më transferon në një pozitë tjetër” – ka pretenduar Imeri.
Ndërsa, ish-Avokati i Popullit, Hilmi Jashari, këto pretendime i ka mohuar, duke njoftuar se në këtë kohë është bërë ristrukturimi i gjithë stafit me qëllim të rritjes së efektivitetit të punës në IAP.
“Mentor Miftari është në Institucionin e Avokatit të Popullit, ka punu prej vitit 2003 dhe ka qenë pjesë e vazhdueshme e këtij Institucioni, fillimisht në sigurim e çka jo, masanej i ka ndryshu edhe pozitat duke qenë edhe shofer personal i pararendësit Sami Kurteshi. Ndërkohë, është bërë ristrukturimi i krejt Institucionit edhe ristrukturim nuk është bërë as për Mentorin, as për Hakifin, por qëllimi i ristrukturimit kur është bërë ka qenë rritja e efektivitetit të punës në Institucionin e Avokatit të Popullit” – është përgjigjur Hilmi Jashari.
Ndërkaq, Mentor Miftari ka thënë së ka qenë i punësuar para së daja i tij Hilmi Jashari të ketë qenë në krye të këtij Institucioni.
“Unë jam punësuar në kohën e Marek Antoni Nowickit, pa kanë Hilmi Jashari aty. Edhe kur e ka zgjedhë Kuvendi Avokat të Popullit Hilmi Jasharin, unë kam qëllu në Institucion” – ka thënë Mentor Miftari.
Gjithashtu, Imeri thotë së pas 19 vite përvojë pune largohet nga puna duke e akuzuar avokatin Qelaj dhe bashkëpunëtorët e tij për ketë pezullim.
“Avokati i Popullit të Republikës së Kosovës, Naim Qelaj, më bashkëpunëtorët e vet më largon nga puna dhe më qet në rrugë pas 19 viteve përvojë pune në po këtë Institucion. Jam mbajtës i familjes, i vetmi kam qenë i punësuar në familje” – ka theksuar Imeri.