Pfandler: Ende s’ka përfunduar raporti për vlerësimin e kritereve për vizat
Ambasadori i Austrisë në Kosovë, Gernot Pfandler, gjatë prezantimit të prioriteteve që do të ketë vendi i tij gjatë udhëheqjes me Presidencën e BE-së, bëri të ditur se gjatë kësaj periudhe gjashtëmujore do të punohet në thellimin e marrëdhënieve me Kosovën dhe rajonin.
Ai ka thënë se gjatë Presidencës së Austrisë me BE-në prioritet do të jenë migrimi, si çështje kryesore aktualisht në BE, ekonomia, por edhe vazhdimi i bashkëpunimit me vendet e Ballkanit Perëndimor, për të ndihmuar në rrugën e tyre të nisur drejt integrimeve evropiane.
“Sikurse e dini, Austria ka lidhje të forta historike me rajonin dhe ne jemi më se të dedikuar si vend anëtar i BE-së kur vjen puna e çështjes së perspektivës evropiane të Kosovës dhe vendeve tjera të rajonit, Ndërtimi i strategjisë së gjerë është një qëndrim i KE-së më herë këtë vit, në deklaratën e Samitit të Sofjes dhe nga vendimet e marra nga Këshilli në qershor, kështu që ne duam të thellojmë marrëdhëniet ndërmjet Kosovës dhe vendeve të rajonit me BE-në dhe të kemi progres gjatë presidencës sonë”, ka thënë Pfandler.
Ai ndërkaq ka bërë të ditur se ende nuk ka përfunduar raporti mbi vlerësimin e përmbushjes së kritereve, në mënyrë që të merret vendimi rreth liberalizimit të vizave.
“Dialogu ka mundësi për të ecur përpara në ditët dhe muajt e ardhshëm dhe liderët politikë të Kosovës janë të dijshëm për këtë dhe dëshirojnë të arrijnë progres dhe procesi lehtësohet nga Mogherini dhe Presidenca qëndron e gatshme të mbështesë nëse ka nevojë. Liberalizimi i vizave është i rëndësishëm. Qytetarët aktualisht po presin raportin e Komisionit dhe nëse kriteret janë përmbushur, dhe sapo raporti të përfundojë, do të procedohet për të parë Këshilli dhe Parlamenti për veprime të mëtejme”, ka thënë Pfandler.
Ndërsa, shefja e Zyrës së BE-së, Nataliya Apostolova, e ka quajtur të rëndësishme përkushtimin e BE-së ndaj integrimeve evropiane të rajonit të Ballkanit Perëndimor, duke theksuar se Shqipëria dhe Maqedonia do të hapin negociatat për anëtarësim në BE vitin e ardhshëm.
“Ajo reflekton nga vlerat e dialogut në normalizimin e marrëdhënieve dhe shpresojmë se kjo do të ndikojë në arritjen e një zgjidhje legale dhe të qëndrueshme me Beogradin. Progresi rajonal po ashtu ka reflektuar nevojën e dedikimit për të punuar në adresimin e reformave të nevojshme në Kosovë. Ka arritje në disa fusha gjatë viteve të kaluara, sidoqoftë më shumë progres duhet bërë në implementimin e reformave evropiane”, ka thënë ajo.
Apostolova ka shfaqur besimin se Kosova do të arrijë përmbushjen e reformave hap pas hapi, në sundimin e ligjit, administratën publike, dhe fusha tjera, ndërsa pret një bashkëpunim më të fortë me BE-në gjatë udhëheqjes së Presidencës së Austrisë.