“Pfizer” dhe “Moderna” rrisin çmimin e vaksinave
Kërkesa e lartë ka bërë që firmat “Pfizer” dhe “Moderna” të shfrytëzojnë rastin për të rritur çmimin e vaksinave të tyre.
Media prestigjioze ndërkombëtare si “Reuters” shkruajnë se në kontratën e re të furnizimit që dy firmat kanë nënshkruar me Komisionin Evropian konstatohet rritje me gati çerekun e çmimit të deritanishëm.
Çmimi i ri i dozës së Pfizerit është 19.5 euro, 4 euro më shumë se i mëparshmi. Ndërsa Moderna ia shet tani unionit dozën me 21.5 euro, më shumë se 2 euro më shtrenjtë.
Dy firmat amerikane nuk kanë bërë asnjë koment për këtë rritje çmimi, që vjen pak ditë pasi Komisioni Evropian njoftoi se është në rrugën e duhur drejt përmbushjes së objektivit për vaksinimin e 70% të të rriturve deri në fund të kësaj vere.
Vaksinat e “Pfizerit” dhe “Modernës” zënë gati gjysmën e dozave të administruara deri tani në vendet e unionit për imunizimin e popullatës kundër koronavirusit.
“Pfizer” dhe “Moderna” kanë shtuar ndjeshëm fitimet nga shitja e vaksinave. Vetëm për këtë vit, Pfizer parashikon mbi 28 miliardë euro të ardhura nga vaksinat, mbi 6 miliardë më shumë se parashikimi i mëhershëm.
Ndërsa Moderna parashikon mbi 16 miliardë euro fitime. Në dallim nga këto firma, britanikja “AstraZeneca” i shet në kosto dozat për Bashkimin Evropian, me një çmim prej rreth 2.5 eurosh.