Phillips: Serbia duhet ta pranojë që e ka humbur Kosovën përgjithmonë

10 prill 2019 | 23:58

Njëzetë vjet pas ndërhyrjes së NATO-s, Kosova është e pavarur dhe Serbia duhet ta pranojë faktin që e ka humbur atë si rezultat i krimeve të Millosheviçit, thotë David Phillips.

Në një intervistë për “Zërin e Amerikës”, profesori i marrëdhënieve ndërkombëtare në Universitetin e Kolumbias në Nju Jork, tha se ka ardhur koha që dialogu për normalizimin e marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë të ketë një afat të caktuar kohor dhe të përfundojë me një marrëveshje gjithëpërfshirëse.

Zëri i Amerikës: Zoti Phillips, këtë javë ishte 20 vjetori i ndërhyrjes së NATO-s në Kosovë për ndalur vrasjet dhe dëbimin popullatës shqiptare nga Serbia? Si e shihni Kosovën sot, 20 vjet pas ndërhyrjes së NATO-s për t’i dhënë fund luftës?

David Phillips: Kosova është e pavarur dhe sovrane. Serbia duhet ta pranojë faktin që e ka humbur Kosovën si rezultat i krimeve të Millosheviçit dhe nuk do të kthehet kurrë nën Serbi. Por, Kosova duhet të bëjë më shumë në ndërtimin e shtetit dhe shoqërisë së saj shumë etnike. Më kujtohet në mars to vitit 1999, kur po jepja mësim në Universitetin e Kolumbias, mora një telefonatë nga Richard Holbrook. Telefonata zgjoi kurreshtjen time pasi ai duhej të ishte në Beograd për të negociar me Millosheviçin për tërheqjen e forcave serbe nga Kosova. Ai më telefonoi për të më treguar se bombardimet do të fillonin të nesërmen dhe më kërkoi që të njoftoja komunitetin shqiptaro-amerikan në mënyrë që ata të paralajmëronin të afërmit e tyre në Kosovë për të shkuar në një vend më të sigurt. Natyrisht, Richard Hollbrook-u ishte mendjemprehtë, ai e dinte se telefonatat përgjoheshin nga UDB-ja. Kështu që në vend se të kthehej në Shtetet e Bashkuara ai shkoi në Budapest dhe telefonoi Millosheviçin në mëngjesin e ditës pasuese, duke i thënë “a mendoni se tani ne jemi serioz nisjen e luftës?”. Millosheviçi nënqeshi dhe tha “Shtetet e Bashkuara kurrë nuk do të shkojnë në luftë për të mbrojtur shqiptarët”. Unë jam krenar që Shtetet e Bashkuara ndërhynë ushtarakisht për të parandaluar gjenocidin në Kosovë.

Zëri i Amerikës: Pavarësisht pranisë së NATO-s dhe dialogut me Beogradin të ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian, Kosova nuk ka qenë në gjendje të normalizojë marrëdhëniet e saj me Serbinë. Kjo ka qenë një pengesë në përpjekjet e saj në procesin e integrimit euro-atlantik. Çfarë mendoni se duhet bërë ndryshe për të tejkaluar ngërçin e tanishëm?

David Phillips: Së pari, unë mendoj se duhet të sqarohet kuptimi i fjalës “normalizim”. Normalizimi i marrëdhënieve duhet të nënkuptojë njohjen e Kosovës nga Serbia me kufijtë ekzistues. Në vend që të shpenzohen vite të tëra për diskutimin e kodit telefonik, targat e makinave dhe menaxhimin e kufijve, duhet të trajtohen çështjet thelbësore. Fatkeqësisht, gjatë vitit të fundit, propozimi i Presidentit Hashim Thaçi për korrigjimin e kufijve ka hequr vëmendjen nga gjërat e rëndësishme. Nuk duhet të ketë diskutime për korrigjim kufijsh, por për normalizim të marrëdhënieve në bazë të kufijve të tanishëm. Edhe nëse dialogu do të rezultonte në një marrëveshje për korrigjim kufijsh, Presidenti Vuçiç nuk i ka votat në parlament për të ndryshuar kushtetutën e Serbisë ose për të pranuar pavarësinë e Kosovës. Ai nuk mund t’ua ndryshojë mendjen vendeve anëtare të BE-së, si Spanja, që nuk e kanë njohur pavarësinë e Kosovës. Rusia nuk merr urdhëra nga Beogradi. Pra, Kosova nuk do të merrte asgjë në këmbim të dhënies së një pjese të territorit.

Zëri i Amerikës: Megjithatë, pse do të ishte gabim për të diskutuar këtë çështje? Para 20 vitesh, kur NATO-ja bombardoi Sebinë, Kosova nuk mori premtim për pavarësi ose ndryshim territoresh, por thjeshtë për më shumë të drejta. Çfarë do të humbiste Kosova nëse do të fillonte dialogun për korrigjim kufijsh dhe në fund ai dështon?

David Phillips: Negociatorët mund të flasin për çdo gjë, përfshirë korrigjimin e kufijve. Por, procesi nuk mbaron këtu. Unë kam përgatitur një udhërrëfyes prej disa faqesh që përfshin një numër të madh çështjesh që duhet negociar për të arritur një marrëveshje gjithëpërfshirëse mes Serbisë dhe Kosovës. Nuk bëhet fjalë vetëm për një diskutim të thjeshtë mbi korrigjimin e kufijve, është një proces shumë më i ndërlikuar. Ekipi negociator i Kosovës duhet të jetë i përgatitur për trajtimin e të gjitha detajeve. Në vend që të negociojnë me Serbinë, shqiptarët e Kosovës po negociojnë me njëri-tjetrin për ndarjen. Kjo thjeshtë nuk është strategjia e duhur. Dialogu duhet të përmbyllet bazuar në një afat të përcaktuar. Tani dialogu nuk ka fund. Zgjedhjet evropiane janë në maj, zgjedhjet për komisionerët e rinj janë në vjeshtë. Duhet të vendosim një afat kohor siç bëri senatori Mitchell për negociatat për konfliktin në Irlandën Veriore që çuan në arritjen e marrëveshjes së të Premtes së Mirë. Pastaj duhet të arrihet në një përfundim, sepse zvarritja e këtij procesi nuk është në interes të normalizimit të marrëdhënieve të Kosovës me Serbinë, nuk po e ndihmon ekonominë e Kosovës, dhe marrëdhëniet e saj me komunitetin ndërkombëtar. Ka ardhur koha për të lëvizur. Njëzet vjet pas luftës, ne duhet ta përmbyllim këtë kapitull dhe të lëvizim përpara. Të vendosen marrëdhëniet normale mes Beogradit dhe Prishtinë bazuar në interitetin territorial dhe respektin e ndërsjellë dhe të ketë një vrull pozitiv në rajoin e Ballkanit Perëndimor. Nëse Greqia dhe Maqedonia e Veriut mund të arrijnë një marrëveshje për çështjen e emrit, sigurisht që edhe Kosova dhe Serbia mund të arrijnë një marrëveshje për njohjen e ndërsjellë. Është koha për të lëvizur përpara.

Zëri i Amerikës: Vendosja nga qeveria e Kosovës e tarifës 100 për qind ndaj mallrave serbe e ka çuar Kosovën në një kurs përplasjeje me Shtetet e Bashkuara dhe vendet e Bashkimit Evropian. Sipas mendimit tuaj, çfarë pasoja do të ketë kjo për Kosovën?

David Phillips: Së pari, Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian duhet ta kuptojnë se tarifa nuk erdhi si rrufe në qiell të kaltërt. Ajo ishte një përgjigje ndaj taktitave të ashpra të Serbisë dhe Rusisë në Dubai gjatë takimit të Interpolit. Është e pamundur të ulesh dhe të bisedosh në Bruksel për normalizim të marrëdhënieve kur të dërguarit diplomatik të Serbisë udhëtojnë në mbarë botën për të bindur vendet që të mos njohin pavarësinë e Kosovës. Madje, duke inkurajuar tërheqjen e njohjeve nga vendet të cilat e kanë njohur pavarësinë e Kosovës. Pra, ata po punojnë kundër anëtarësimit të Kosovës në UNESCO dhe Interpol. Të them të drejtën, unë i mbështes tarifat derisa Serbia të jetë e përgatitur të tregojë një masë të ndërtimit të besueshmërisë dhe të rifillojë bisedimet në mirëbesim. Kjo nuk është duke ndodhur tani.

Zëri i Amerikës: A është e aftë Kosovë t’i rezitojë trysnisë së Shteteve të Bashkuara dhe Bashkimit Evropian për pezullimin e tarifës ndaj mallrave serbe?

David Phillips: Shtetet e Bashkuara dhe Kosova gjithmonë kanë qenë miq të mirë. Por, Kosova nuk është koloni e Shteteve të Bashkaura të Amerikës. Qeveria e Kosovës duhet të mbajë qëndrimet e veta dhe të bëjë atë që është e drejt për qytetarët e saj. Po mund t’i rezistojë trysnisë, por pse duhet të ketë trysni ndaj saj? A kanë harruar Shtetet e Bashkuara se kush janë miqtë dhe aleatët e tyre në rajon? Kjo nuk është një përballje e barabartë. Nuk ka ekuivalencë morale. Shtetet e Bashkuara duhet t’i bëjnë trysni Beogradit që ta pranojë Kosovën, e jo Kosovës për pezullimin e tarifës. Ne duhet të kujtojmë se kush janë miqtë tanë dhe duhet të punojmë në emër të interesit të tyre. Ne duhet të kemi një partneritet më të ngushtë dhe një mbështetje më të madhe të bazuar tek realiteti, jo dëshirat tona, dhe sigurisht jo të ndikuar nga Moska ose Beogradi.

Zëri i Amerikës: Një sfidë tjetër që e pret Kosovën është Gjykata Speciale, që tashmë ka filluar të marrë në pyetje dëshmitarët lidhur me dyshimet për krime lufte. Çfarë mendoni për punën e Gjykatës Speciale? Sipas mendimit tuaj, çfarë ndikimi mund të ketë puna e saj në zhvillimet politike në Kosovë?

David Phillips: Gjykata Speciale duhet të vazhdojë punën për të justifikuar ekzistencën e saj. Nëse po interviston njerëz rreth dyshimeve për krime nga politikanët e Kosovës, atëherë ajo duhet të veprojë në bazë të këtyre intervistave dhe të dërgojë politikanët në Hagë, ku mund të merren veprime ligjore. Të ndalen spekulimet dhe të bëhet puna. Gjykata Speciale duhet të veprojë ose të shpërbëhet.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Përzgjedhësi Taip Ramadani është shprehur shumë i lumtur për fitoren…