Phoenixi, afër finales në Perëndim
Phoenix Suns është shumë i fortë për Denver Nuggets. Pasi eliminoi nga faza “play-off” e këtij sezoni kampionët në fuqi të NBA, Los Angeles Lakers duke i mposhtur 4-2 në serinë mes tyre, skuadra nga Arizona ka hedhur një hap të rëndësishëm drejt kalimit në finalen e Konferencës së Perëndimit.
Phoenix Suns arriti të triumfonte lehtësisht në gjysmëfinalen e dytë ndaj Denver Nuggets me rezultatin 123-98 duke e çuar në 2-0 serinë mes tyre, edhe pse dy sfidat e ardhshme tashmë do të zhvillohen në shtëpinë e Denverit në Colorado. Në praninë e 16 mijë 529 spektakorëve në Arizona, Chris Paul me shokë arritën ta dominonin takimin nga fillimi deri në fund.
Pjesa e parë u mbyll me avantazhin e 10 pikëve në favor të skuadrës së drejtuar nga trajneri Monty Williams ndërkohë që në pjesën e dytë Phoenix thelloi edhe më shumë epërsinë duke e mbyllur gjithë ndeshjen me rezultatin e thellë 123-98. Edhe pse rezultoi pikëshënuesi më i mirë mbi parket me 24 pikë, 13 rebound dhe 6 asistime, paraqitja pozitive e serbit Nikola Jokiq nuk i mjaftoi skuadrës nga Colorado, ndërkohë te Phoenix më shumë spikatën tre të përhershmit, Booker, Paul dhe Bridges.
I pari koleksionoi në total 18 pikë 10 rebound dhe 2 asistime ndërkohë që veterani Chris Paul spikati me 17 pikë 5 rikuperime poshtë tabelës dhe 15 pasime deçizive, ndërsa Bridges shtoi 16 pikë në këtë sukses të Phoenix. /Supersport/