Pianistja dhe mësuesja e pianos në Paris, Fatjona Matraku: “Eskadronët e vdekjes” të bëhet detyrim në shkollat mbarëshqiptare!
Sapo mbarova leximin e librit “Eskadronët e vdekjes” të autorit Bardhyl Mahmuti.
Ky libër, që më shumë se sa e lexova, e gllabërova si pa frymë, është një roman bazuar në histori të vërteta; po aq të vërteta sa personazhet me emër dhe mbiemër brenda tij, që të lënë një plagë të madhe nga makabriteti tragjik që kanë përjetuar.
Autori na ka dhuruar kështu në mënyrë fare të qartë, dëshmitë e krimeve të luftës, gjenocidit, krimeve kundra njerëzimit dhe dëshirës për shkatërrim që i është bërë popullsisë shqiptare në Kosovë.
Jo vetëm kaq, ai tregon edhe se si janë luftuar edhe ata Serb të cilët i dolën në krah civilëve të pafajshëm duke kundështuar kështu regjimin e atij që do të quhej kasapi i ballkanit (që nuk dua t’ja përmend emrin) dhe vartësve të tij.
Na sjell pra, plot largpamësi, në narrativën e një intelektuali serb (M. Filipoviç), që provoi torturat dhe luftoi deri në fund me penën e tij për të nxjerrë në dritë këto makabritete.
Kështu pra, përcjellur prej një shikimi të jashtëm, ky roman nuk i bën heronjtë viktima, por i kthen ata pikërisht në heronj. Një libër që nuk i bën të gjithë serbët armiq. Në të trajtohet ç’do individ në mënyrë objektive mbi baza historike. Ky është një libër që të lë pa frymë, që e lexon me lot në sy, e që me zor kapërdihet, por që duhet lexuar. Është i mbushur me dije, me referenca shkrimtarësh, politikanësh, sistemesh politike, detaje historike, dëshmi rrëngjethëse, me një ritëm të jashtëzakonshëm, që të mban vërtetë mbërthyer…
Ashtu si i thash autorit personalisht, ky libër do të duhet të bëhet detyrim në shkollat mbarëshqiptare sepse historia nuk duhet përsëritur!
Është një libër që më bën të mendoj që burgu i Dubravës duhet të bëhet muze.
Është një libër që më ka trazuar thellësisht, sepse unë, çame, pash gjyshërit e mi në tmerret e çdo kujt personazhi në libër!
Ky libër është secili nga ne..
Faleminderit profesorit që pas aq shumë viteve burg nëpër Jugosllavi, vuajtjeve, e çka ka përjetuar, ka gjetur forcën të sjellë këto evidenca historike si tablo fare të qarta nëpërmjet penës së tij! Akoma po mundohem ta kuptoj ku e ka gjetur forcën.. mbase, sepse në fund të fundit ky është një libër shprese dhe jete e prej tij mësojmë që gjakun e shqiptarin s’do të mundet dot askush, askund, ta bëj ujë!
Faleminderit Adnan Asllani që ma dërgove!
Ju jam mirënjohëse dhe jam shumë krenare që ju njoh!
PS: dua të përshëndes nga larg të gjithë ish të burgosurit dhe të mbijetuarit e këtij tmerri dhe uroj nga zemra të jenë duke bërë një jetë të qetë e plot paqe bashkë me të dashurit e tyre!
***
Fatjona Matraku është një pianiste dhe mësuese pianoje. Ajo është themeluesja e SOLFAM, Akademi Pianoje në linjë dhe paralelisht Producente dhe Moderatore e Podcast mbarëkombëtare “Music Through Us”. Fatjona, e konsideruar si një fëmijë “prodige” filloi të luante në piano në moshën gjashtë vjeçare. Ajo ka aftësi të jashtëzakonshme në identifikimin dhe mbështetjen e talenteve të reja, hartimin e strategjive në mësimdhënie dhe shoqërimin e studentëve drejt suksesit në shkolla muzikore multikulturore. Fatjona Matraku është gjithashtu një poliglote me një përvojë solide në ndërtimin e marrëdhënieve dhe menaxhimin e projekteve nga konceptimi deri në përfundim. Ajo është një mentore transformuese që frymëzon të tjerët për të punuar në mënyrë të pavarur, duke krijuar plane zhvillimi me qëllim rritjen në karrierë. Aktualisht ajo ndan kohën e saj midis Ballkanit dhe Francës.