PIANISTJA SHQIPTARE QË PO SHKËLQEN NË ZVICËR
Shkruan Ismet Rashiti
Pianistja Ermira Zyrakja-Lefort po nderon dhe afirmon kulturën shqiptare në Zvicër. Në fakt, ajo është një ambasadore e denjë e prezantimit të kulturës së mirëfilltë shqiptare. E pasionuar deri në fund në profesionin e saj, ka bërë që sallat koncertale zvicerane të luajnë me piano e të këndojnë shqip
Emër i njohur në botën shqiptare. Qysh në moshën gjashtëvjeçare ka filluar të specializohet për piano në Tiranë për të ecur gjithnjë sigurt në rrugën e karrierës tash e pesë dekada me radhë. Këto ditë, ky emër, sidomos talenti dhe kontributi i saj, ka sprovuar penën time prej publicisti, e cila, sado me një përvojë të gjatë, nuk e ka aspak të lehtë të shkruajë për një personalitet të këtij kalibri kulturor. Është kjo pianistja shqiptare, Ermira Zyrakja – Lefort, e cila prej vitesh jeton dhe punon në Gjenevë. Jo një herë gjatë historisë shteti zviceran ka qenë mirëpritës dhe u ka dhënë mundësi shqiptarëve ta shpalosin talentin e tyre dhe të kontribuojnë për ruajtjen e vlerave kulturore tradicionale shqiptare, duke i ngulitur rrënjët e saj të vjetra në universin kulturor evropian dhe botëror.
Nuk ka dyshim se gjurmëve të kësaj trashëgimie të pasur kulturore shqiptare po ec sigurt pianistja e njohur, Ermira Zyrakja-Lefort, gjithnjë modeste dhe e heshtur para opinionit. Në fakt, në të shumtën e rasteve është e zakonshme që njerëzit e karrierës profesionale të duken sa më të thjeshtë dhe të tërhequr, sidomos pianistët duket sikur çdo moment të jetës duan ta kalojnë mbi tastierën e pianos bashkë me tingujt e ëmbël të saj.
E veçanta tjetër është se ky kalibër intelektualësh nuk dëshiron të flasë asnjëherë në vetën e parë, as të rrahë gjoks para të tjerëve, meqë vetvetiu flasin puna dhe sukseset e tyre. E tillë është edhe Ermira Zyrakja-Lefort, e cila më tepër preokupohet për (mos)arritjet e kulturës shqiptare sesa për punën e madhe dhe sukseset e njëpasnjëshme të saj në botën e pafund të artit.
Foto: Pianistja Ermira Zyrakja-Lefort në njërin nga koncertet e shumta në Zvicër
Vetëm pas insistimit tim dhe jam i prirur të mendoj, më tepër, për shkak të respektit ndaj publikut, kam arritur pak a shumë të shkëpus të dhëna interesante nga jeta dhe veprimtaria e saj në Zvicër.
Është diplomuar me sukses në konservatorin superior të Tiranës për piano soliste, pedagoge dhe pianiste shoqëruese. Njerëzit mund të lindin talentë të një fushe, por të dalluar dhe të mëdhenj i bënë puna, insistimi dhe dëshira për ta arritur kulmin profesional. Ermira Lefort është e tillë: Talente e lindur, punëtore e madhe, insistuese, ambicioze, por edhe e guximshme për ta arritur“zenitin”. “Qysh në moshën e fëmijërisë kam dashur me zemër e me shpirt të bëhem pianiste. Mendoja kur të rritem të luaj vetëm në skenë, pa pasur nevojë të më shoqërojnë grupe muzikantësh”. Kjo dëshirë jo për shkak të egos personale, por thjesht për shkak të intuitës muzikore dhe shpirtit elegant që kishte filluar të shpërfaqej në karakterin e saj.
Në moshën 14-vjeçare ka filluar të ngjitet në shkallët e karrierës me çmimin e fituar në Konkursin Mbarëkombëtar për të Rinj në Radio Televizionin Shqiptar. Sigurisht ky ka qenë një moment i veçantë për një vajzë të re, plot elanë dhe ëndrra për trasimin e mëtutjeshëm të rrugës jetësore.
Vendosja e papritur në Gjenevë, pavarësisht se kishte për cak Rotterdamin holandez, meqë aty kishte fituar një bursë dyvjeçare për master, më tepër duhet kuptuar si një dhuratë prej Zotit për mërgatën shqiptare në Zvicër. Tri koncertet e para në Cite Blèu të Gjenevës dhe bisedat e gjata për muzikën dhe Shqipërinë për të cilën atë botë dihej shumë pak me Fransua Lefort, ishin momentet që Ermira të vendoset në Gjenevë, në këtë qytet shumëngjyrësh që të jep mundësi të mëdha për jetë dhe perspektivë. Piano ishte instrumenti dhe çelësi magjik që ia hapi rrugët e jetës. Pa vonuar shumë, Ermira Lefort, si një gur i Nitonit në liqenin e lashtë Lèman, filloi t’u bëjë ballë dallgëve të jetës që përplaseshin furishëm në jetën dhe karrierën e saj në të ardhmen. Nuk ishte e lehtë përballja me konkurrencën intelektuale e kulturore në pellgun e Gjenevës së madhe. Duhej punë, talent, përkushtim dhe guxim për t’u futur në malin e dendur të kulturës botërore që prej shekujsh kishin zënë vend në zemër të këtij qyteti. Në fakt, Ermira i kishte të gjitha këto mundësi intelektuale, virtyte dhe vlera njerëzore.
Foto: Pianistja Ermira Lefort gjithnjë pranë pianos: “Krenare që jam shqiptare dhe po punoj për afirmimin e vlerave kulturore të popullit tim të lashtë”
Falë punës së madhe filluan t’i hapen dyert e sallave më prestigjioze koncertale. Kudo duartrokitje, mirënjohje dhe falënderime. Sallat e këtij qyteti muzikal sa të mëdha, po aq intime, sot e dy dekada me radhë mbushen përplot me publik dhe emocione teksa luan me piano, Ermira Lefort, veprat e kompozitorëve më të njohur botërorë si ato të gjermanit Ludwig van Bethoven, italianit Antonio Lucio Vivaldi, austriaku më i vjetër i klasikëve të Vienës, Franc Jozef Hajden dhe sidomos kompozitori i njohur, përfaqësuesi i epokës moderne, Wolfgang Amadeus Mozart e të tjera. Teksa dëgjon tingujt e pianos së Ermirës, s’ke si të mos ndihesh krenar me origjinën tënde.
Një femër shqiptare elegante, në dukje e heshtur dhe me një buzëqeshje dashamirësie për publikun, s’ka si të mos e magjepsë edhe spektatorin më të tërhequr ndaj muzikës klasike. Lëvizjet energjike e me shumë mjeshtri të gishtërinjve, të fusin në pellgun e dëshirave, të japin shpresë për jetë e ta mbushin zemrën me optimizëm për një të ardhme më të mirë të të gjithë njerëzve, pavarësisht vendit nga kanë ardhur, origjinës apo ngjyrës së tyre.
Ermira Lefort është pianiste me diplomë shtetërore franceze dhe zvicerane. Si e tillë ka arritur të shfaqë shumë koncerte me muzikë klasike solo, por edhe me artistë të tjerë në shumë shtete si në Francë, Angli, Greqi, Irlandë, Slloveni, Kroaci, ShBA e gjetiu. Një punë të madhe bënë me federatën e tre konservatorëve në Gjenevë dhe përgatitjen e opsionit Piano për kolegjianet në kolegje. Ermira Lefort, po ashtu, ka marrë pjesë në Kongresin Evropian të Pianistëve të mbajtur në Qipro, në koncertin studimor mbi veprat e kompozitorëve shqiptarë për piano.
Foto: Ermira Zyrakja-Lefort, autore e CD-së “E jona muzika”, me vepra për piano të kompozitorëve shqiptarë, e vlerësuar lart në Boston dhe nga kritika franceze.
Është e para që ka nxjerrë CD-në me titull “E jona muzikë” me vepra për piano të kompozitorëve shqiptarë, e cila është vlerësuar lart sidomos në Boston dhe nga kritika franceze. Përmes kësaj CD-je ka pasur qëllim të prezantojë kompozitorë shqiptarë shumë të talentuar dhe krijimet e tyre të mrekullueshme të cilat, për arsye të sistemit, nuk kanë pasur mundësi të njihen nga spektatori dhe kritika e huaj.
Krahas punës pedagogjike me nxënës për piano, Ermira që në ditët e para të vendosjes në Gjenevë ka qenë pjesë e pandarë e të gjitha tubimeve kulturore dhe me karakter kombëtar të komunitetit shqiptar në Zvicër. Ndonëse e angazhuar tej mase me prezantimin e artit klasik, ka marrë kontakt me shoqatat ekzistuese shqiptare. U angazhua konkretisht dhe ka luajtur rol të madh në të gjitha zhvillimet kulturore: “Në ato vite kishte shumë më pak shqiptarë me familje. Më duhej ta thyhej tabunë për të hyrë në një sallë, apo shoqatë dhe për të folur rreth rëndësisë së pianos dhe për korale këngësh për fëmijët të cilët në ato vite ishin më të paktë në numër”, kujton Ermira.
Ishte kënga dhe pianoja e Ermirës e cila për shtatë vjet rresht realizoi projektin me “Rinia kontakt”, i cili kishte për objektiv integrimin me anë të muzikës përmes pianos dhe këngës.
Kjo kishte ndikuar së tepërmi që fëmijët shqiptarë ta ndjejnë më shumë botën fëmijërore, sidomos gjatë periudhës kur në çdo familje përjetoheshin rënd ngjarjet e luftës në Kosovë dhe pasojat e saj të rënda. Ky projekt kishte ndikuar që nga një veprimtari muzikore të kalohet në një pasion për fëmijët adoleshentë. Nga përgatitjet që bënte Ermira Lefort, çdo vit 3 deri 6 nxënës kalonin me sukses audicionin dhe regjistroheshin në konservatorë të Gjenevës. “Edhe sot emocionohem së tepërmi kur i shoh të rritur e studentë të mirë të gjithë ata vogëlush të dikurshëm”, thotë Ermira.
Pavarësisht prej angazhimeve të shumta profesionale, Ermira Lefort ka mbështetur pa hezitim koncerte, mbrëmje letrare dhe muzikore, ekspozita pamore, aktivitete përkujtimore për heronjtë dhe figurat e tjera historike si: Akademi për Skënderbeun e Nënë Terezën, organizuar nga misionet katolike si dhe promovime librash të autorëve me emër. “Me emocion të veçantë flet për projekt-koncertin e ideuar nga prof. dr. Michele Greco me grupin ‘Vëllezërit arbëreshë’ me repertuar të këngëve arbëreshe dhe jo vetëm plus trio e artistëve shqiptarë me këngë dhe vepra lirike shqiptare që u mbështet me zemër nga Shoqata ‘Iliria’ dhe presidentja e saj, Luljete Hoxha-Deda”.
Për punën e madhe profesionale dhe angazhimin e saj në fushën e artit dhe të kulturës, Ermira është vlerësuar disa herë me çmime prestigjioze si artiste në diasporë dhe për diasporën por, falë modestisë së saj, me mirësjellje shumë prej tyre nuk ka pranuar t’i marrë, me arsyetimin se të gjitha i ka bërë me vullnetin më të madh për afirmimin e kulturës dhe të popullit shqiptar.
Foto: Ermira Lefort këto ditë, në “Ditët e Mbretëreshës Teuta 2018”, në Dubrovnik të Kroacisë
“Vlerësimi më i mirë për mua, thotë Ermira, është publiku i mrekullueshëm që më mbanë gjallë dhe të lumtur në jetë. Ndihem mirë kur ndodhem para pianos dhe kur shoh publikun që më duartroket”.
Megjithëse e angazhuar së tepërmi me koncerte për nder të festave kombëtare të nëntorit, Ermira po përgatitet për dy recitale me soprano dhe një tjetër me violinë. E gjithë kjo veprimtari do të bëhet menjëherë pas kthimit të saj nga Kroacia, ku po qëndron me ftesë të Shendia Bilallit në “Ditët e Mbretëreshës Teuta 2018” që u mbajt në Dubrovnik.
Për ta përsosur sa më shumë artin e saj, Ermira kalon disa orë pranë pianos: “Është me të vërtetë vendi i vetëm ku ndihem sikur mund të kem një retrospektivë rreth vetes dhe të kuptoj emocionet që unë jetoj në jetën e përditshme”. Përkundër këtij mendimi, pianistja Ermira Lefort, për të mbajtur ekuilibrin sa më të mirë të jetës, bën aktivitete të tjera si, ecje në male ose pranë liqenit të bukur Lèman. Po ashtu, i ka shumë përzemërt udhëtimet, poezinë, prozën e shkurtër, fotografinë dhe vallëzimin. “Unë nuk mund të jem një robote mbi piano, sepse kjo nuk do të më ndihmonte. Realisht nuk do të kisha mundësi të shprehi asnjë ndjenjë në piano nëse nuk bëj jetë normale njerëzore”, ka thënë ajo.
Gjatë dy dekadave të fundit ka qenë e pranishme anembanë Zvicrës me koncertet e saj me piano. Ka qenë aty ku e ka ftuar zëri shqiptar në shërbim të ruajtjes dhe afirmimit të vlerave të mirëfillta kulturore. Sikurse dje, edhe sot e gjithë ditën, pothuaj nuk ka aktivitet me karakter kombëtar dhe kulturor që të mos ftohet Ermira. “E ndiejë për obligim moral ndaj popullit tim dhe kulturës sonë të lashtë të jem aty ku mund t’i kontribuoj”.
Në fakt, angazhimi profesional i Ermirës ka luajtur rol të veçantë në paraqitjen e vlerave kulturore, arsimore, integruese dhe emancipuese në mërgatën shqiptare.
Me të drejtë mund të thuhet se Ermira Lefort është një nxënëse e mirë dhe besnike e kompozitorëve më të njohur evropianë, veprat e të cilëve i luan me përkushtim, pasion dhe profesionalizëm të madh. Mbresa të veçanta gjatë interpretimit në koncertet solo lënë sidomos modestia, kultura njerëzore, buzëqeshja e qetë dhe lëvizjet e matura në skenë, duke treguar kulturë dhe respekt maksimal për publikun në sallë.