
Pianot e para te shqiptarët
Nga: Hasan Bello
Piano është një nga instrumentet më të rëndësishme muzikore. Fillesat e saj datojnë në fund të shekullit XVII dhe në fillim të shekullit XVIII. Që nga kjo periudhë, ajo u përhap nga qytetet italiane, në kryeqytetet dhe qytetet kryesore të botës. Në territoret shqiptare, piano i ka fillesat në gjysmën e dytë të shekullit XIX. Sipas dokumenteve arkivore, pianot e para kanë hyrë në qytetin e Shkodrës.
Në një letër që Engjëll Çoba i dërgoi Shtjefën Biankut në Venedik në vitin 1877, ai e informoi mbi largimin e ushtrisë osmane drejt Tivarit, bashkë me bandën publike (daullen) të qytetit. Por, ngushëllohej se vendin e saj për t`u argëtuar e kishte zënë Filipi i Kolës me pianon e vet, në të cilën luante përnatë.
Një përdorues tjetër i pianos ishte edhe muzikanti i vjetër shkodran Palok Kurti, i cili e përdorte në ahengjet e ndryshme.
Pianoja e familjes Çoba, e cila datonte që në vitin 1877, kishte ngjallur xhelozinë e gruas së konsullit austro-hungarez të Shkodrës, Lipik, e cila kishte ngacmuar të shoqin me fjalët se çfarë konsulli ishte ai, kur gruaja e tij nuk kishte piano siç kishin disa familje shkodrane. Në vitet ‘70 të shekullit XIX, ky instrument i muzikës klasike filloi të përdorej edhe nga shoqëria “Don Bosko” e jezuitëve.
Sipas të dhënave të pakonfirmuara, thuhet se nga viti 1877-1912, në qytetin e Shkodrës ekzistonin 26-28 piano. Ky instrument përdorej kryesisht nga familjet e shtresës së mesme dhe të lartë katolike, që kishin marrëdhënie tregtare me Venedikun dhe qytete të tjera të Italisë.
Në fund të shekullit XIX, përdorimi i pianos filloi edhe te disa familja të shtresës së lartë myslimane. Kështu, në konakun e familjes Vlora, ekzistenca e saj vijon të jetë e pranishme edhe sot e kësaj dite.
Një dëshmi interesante për përdorimin e pianos nga femrat në fillim të shekullit XX, vjen nga përkthyesi i njohur shqiptar Jusuf Vrioni. Në librin Kujtimet e një evropiani, ai shkroi se ëma e tij, e cila ishte vajza e Hysen Pashë Dinos, pinjolle e familjes së njohur shqiptare nga Preveza dhe mbesë e ish-ministrit të Jashtëm të Perandorisë Osmane, Abedin Pashë Dino, kur ishte martuar me babanë e tij, kryetarin e bashkisë së Beratit, Iliaz Vrionin, përveç pajës dhe sendeve të tjera personale kishte sjellë me vete edhe një piano. Megjithëse ishte akoma periudha e sundimit osman, me të mbaruar prezantimet, Iliaz beu e kishte ftuar bashkëshorten që të ulej në piano dhe të luante himnin shqiptar. Për shkak se ajo nuk e kishte dëgjuar më parë, disa të pranishëm ia kënduan lehtazi dhe me vesh, ndërsa ajo filloi t`i përshtaste notat e tij mbi tastierë. Ky veprim kishte ngjallur habinë e grave të tjera, të cilat, çuditeshin sesi një grua arrinte që të luante muzikë përpara burrave.
Në vitet ‘20-‘30 të shekullit XX, piano ishte një instrument i cili po përhapej në të gjitha qytetet kryesore të Shqipërisë. Në disa institucione arsimore, ajo u bë pjesë e programeve shkollore. Në këtë periudhë, filloi edhe diplomimi i muzikantëve të parë profesionistë në konservatorët e Austrisë, Francës dhe Italisë, të cilët, organizuan koncerte, siç ishte ai i Tefta Tashkos (me lejen dhe mbështetjen e qeverisë, jo si falsifikimi i filmit Koncert në vitin 1936).