Piateki ‘largon’ Cutronen nga Milanin
Blerja e Krzysztof Piatek nga Milani, ka rezultuar një ndër transferimet më të goditura, me polakun që po shfaq një rendiment të jashtëzakonshëm. Përveç gjithë gjërave të mira dhe pozitive që “pistoleta” ka sjellë për kuqezinjtë, ka dhe diçka që mund të futet te gjërat negative.
Lënia krejtësisht në hije e Patrick Cutrone. 21-vjeçari, është aktivizuar pak që nga ardhja e Piatek dhe shumë klube kanë nisur të lëvizin për të, madje ofertat e para kanë mbërritur te drejtuesit e “djallit”. Siç raportohet nga mediet italiane, Torino ka shfaqur interes dhe oferta e tyre është huazim 2-vjeçar.
Gjithsesi, Milani duket se nuk është dakord me një ofertë të tillë dhe kërkon së paku 30 milionë euro për t’u futur në bisedime për sulmuesin e tyre. Gjithashtu, sipas medieve italiane, interes është raportuar dhe nga Atletico Madrid, por ende nuk ka pasur diçka konkrete.