Piktorja 15-vjeçare Erlisa Çerkini, krenaria e Kosovës (Foto)

13 dhjetor 2018 | 16:04

Erlisa B. Çerkini është e lindur në nëntor të vitit 2003. Që nga mosha katërvjeçare ka provuar fusha të ndryshme të artit, si baletin, pianon, por vetën e ndjen më së miri kur pikturon.

Si natyrë e karakterizon modestia, butësia, vendosmëria e përkushtimi i madh në qëllimet që i vë vetës.

Në moshën dhjetëvjeçare, prindërit e saj i bënë një dhuratë të pazakontë, me rastin e mbarimit të klasës së V, me sukses të shkëlqyeshëm. E regjistruan në kurs vizatimi tek studio “Da Vinçi”, e cila udhëhiqet nga piktori i zellshëm, Faton Kryeziu.

Kjo studio nxori në pah talentin e saj për pikturë, që nga mosha dhjetëvjeçare.

Pas një pune dhe përkushtimi për më shumë se tri vite rresht, arriti që në nëntor të vitit 2017, në Bibliotekën Kombëtare të Kosovës ta mbajë ekspozitën e saj të parë personale, me rastin e ditëlindjes së katërmbëdhjetë të saj.

Paratë e pikturës së parë që shiti, Erlisa ia dhuroi me dashuri SOS Fshatit të Fëmijëve, mu në ditëlindjen e saj, në nëntor të 2017-s.

Erlisa është angazhuar edhe në aktivitete të ndryshme, si shah dhe gjimnastikë, me ç’rast ka fituar katër herë medalje (të argjendtë dhe të bronztë) nga Federata e Gjimnastikës së Kosovës.

Biografia e saj për moshën që ka është mjaftë e pasur.

Erlisa në vitin 2015 ka marrë pjesë me një nga punimet e saj edhe në ekspozitën kolektive, të organizuar dhe mbajtur në Lugano të Zvicrës.

Në dhjetor të vitit 2017 është shpërblyer nga ambasadori anglez në Kosovë, me mirënjohje për ‘Qytetari aktive’.

Po ashtu në muajin gusht të vitit 2018 është ftuar të marrë pjesë me ekspozitë personale në “Etno Fest”, ku regjisori i njohur kosovar Fadil Hysaj, e ka vlerësuar shumë lartë talentin e saj: “Kur i kam pa këto piktura nuk kam mundur për të besuar se i ka bërë një vajzë 14-vjeçare. Erlisa, Zoti ta ka dhënë një talent që rrallë ja jep në 200 vjet dikujt…dorë gjeniale. Kjo vajzë ka me qenë krenaria jonë e ardhshme, e gjithë shekullit që vjen pas”, është shprehur regjisori Fadil Hysaj.

Aktualisht, Erlisa ka të hapur ekspozitën e radhës në qendrën e madhe tregtare “Albi Mall”, kati i III, të cilën e ka mbështetur banka “Raiffeisen”.

Erlisa ëndërron që në të ardhmen të mbajë ekspozita edhe në vende të tjera të botës.

Përpos talentit të Erlisës, edhe motra e saj më të vogël, Stina, ka pasion pianon por edhe sportin e gjimnastikës.

Në nëntor të këtij viti, është organizuar gara nga Federata e Gjimnastikës së Kosovës, ku ajo është shpërblyer me medalje të argjendtë në disiplinën tra ekuilibri.

/Epoka e re/

 

Fjalët Kyçe:

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Sulmuesi i Bayern Munchen, Thomas Muller u ndëshkua me karton…