Pingpongut i mundësohet një vend në Lojërat Evropiane ‘Minsk 2019’
Federatës së Pingpongut të Kosovës i është mundësuar pjesëmarrja e një garuesi në Lojërat e Dyta Evropiane “Minsk 2019”, të cilat mbahen prej 21-30 qershor në Minsk të Bjellorusisë. Ftesa nga organizatori ka ardhur të enjten në adresë të Komitetit Olimpik të Kosovës.
KOK-u në bashkëpunim me FPPK-n kanë kërkuar nga organizatori që pingpongistit, Fatih Karabaxhaku, t’i mundësohet pjesëmarrja me ftesë, në disiplinën individuale, pasi garuesve tanë i ishte mohuar pjesëmarrja në Kampionatin Evropian Indivdual të mbajtur në Alikante të Spanjës, vitin e kaluar. Qeveria e Spanjës nuk i kishte dhënë vizën hyrëse delegacionit tonë.
Deri më tani, KOK-u ka të konfirmuara dy ftesa për “Minsk 2019”, një për boksieren Donjeta Sadiku dhe tjetra për pingpongistin, Fatih Karabaxhaku. Në javët e ardhshme, pritet të konfirmohet pjesëmarrja edhe për garuesit e sporteve tjera.
Kosova është paraqitur edhe në Lojërat Evropiane “Baku 2015”, në të cilat debutoi me medaljen e bronztë të fituar nga xhudistja, Nora Gjakova.