Pioli: Ndeshja Roma-Milan vlen gjashtë pikë

28 prill 2023 | 17:17

Stefano Pioli të premten në konferencën për shtyp ka folur për ndeshjen ndaj Romës, e cila është një ndeshje vendimtare në Serie A dhe zhvillohet të shtunën pasdite.

Me shtatë ndeshje të mbetura për të përfunduar sezonin, Milan aktualisht zë vendin e katërt në tabelën e Serie A, ndërsa Roma është e pesta me pikë të barabarta. Pavarësisht se është kualifikuar në gjysmëfinale të Ligës së Kampionëve, Pioli e di se përballja e së shtunës në “Olimpico” është po aq e rëndësishme sa edhe ajo.

“Duhet t’i japim vazhdimësi paraqitjeve tona dhe të sigurohemi që ndeshja tjetër të jetë gjithmonë më e rëndësishmja. Dhe kështu është: ndeshja e nesërme vlen dyfish dhe duhet ta përballojmë me shpirtin e duhur”, ka thënë Pioli.

“Ia vlen shumë, ne kemi gjithnjë e më pak ndeshje për të luajtur. Kemi tre përplasje direkte, sa më shumë pikë të marrim, aq më shumë shanse do të kemi për të përfunduar në top 4 që është synimi ynë më i madh. Jemi mirë, ekziston dëshira për të pasur një fund të mirë të sezonit. Në këto ndeshjet e fundit do të vendoset finalja e sezonit dhe ne duhet ta shohim veten si protagonistë. Ndeshjet duhet të luhen dhe të fitohen ende, por le t’i marrim ndeshjet një nga një, përndryshe humbasim energjinë”, ka shtuar ai. “Performancat e fundit kanë qenë të mira. E dimë se çfarë të bëjmë në ndeshjet e rëndësishme, kështu që do të shkojmë në Romë me besim, kemi cilësitë për të bërë mirë”. Pioli është gjithashtu i vetëdijshëm se Roma do të jetë kundërshtar i fortë  dhe ka mbetur i impresionuar nga paraqitjet e fundit të skuadrës së Jose Mourinhos, pavarësisht se humbën 3-1 kundër Atalantës fundjavën e kaluar.

“Ne i dimë karakteristikat e tyre. Por, le të mos mendojmë shumë për rezultatin në fillim të sezonit. Duhet të jemi të kujdesshëm në ato situata ku Roma është e fortë, si në ndërprerje”, ka deklaruar Pioli.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Ministria e Mbrojtjes (MM) përmes një njoftimi kanë bërë me…