Pioli: Tash përqendrohemi në kampionat
AC Milan u eliminua nga Kupa e Italisë, pasi pësoi humbje nga Interi (3-0). Trajneri i kuqezinjve, Stefano Pioli e pranoi humbjen, por nuk e fsheh keqardhjen për golin e anuluar të Bennacer, që mund të rihapte ndeshjen. Trajneri i Milanit ka kërkuar nga futbollistët që tash të përqendrohen në kampionat.
“Interi u tregua më i zoti se ne dhe shfrytëzoi mjaft mirë rastet e krijuara. Humbja është e pastër, por ne golin tonë e bëmë. Portieri nuk protestoi për asnjë moment për pozicion jashtë loje dhe ky është një rast i çuditshëm. Kundërshtarët protestuan për prekje me dorë, por goli u anulua për pozicion jashtë loje. Nuk është momenti që të qajmë këtë humbje, pasi kemi fazën finale të kampionatit dhe duhet të reagojmë në mënyrën e duhur. I njoh mirë djemtë dhe e di që do të reagojnë që në ndeshjen e radhës ndaj Lazios”, ka thënë Pioli.