PIPS-i: Viti 2023, sfidues për MPJD-në për shkak të dialogut Kosovë-Serbi
Tensionet në veri, acarimi i raporteve me aleatët ndërkombëtarë dhe masat e Bashkimit Evropian (BE) janë si rezultat i mungesës së dialogut të mirëfilltë Kosovë-Serbi.
Kështu është konstatuar në raportin vjetor “Vjetari i Politikës së Jashtme (2023)”, i cili është publikuar nga Instituti i Prishtinës për Studime Politike (PIPS).
Jon Krasniqi, menaxheri i projektit në PIPS, ka thënë se ky raport del çdo vit, ku kësaj radhe ka ofruar një analizë përgjatë vitit 2023 deri më 15 shkurt 2024.
Sipas tij, të dhënat përfshijnë deklaratat e qeverisë, angazhimet që i kanë bërë në politikën e jashtme.
“Raporti tregon se ky ka qenë viti më sfidues në politikën e jashtme të Kosovës. Kjo si shkak të një procesi apo një shqetësimi që e ka pas Kosova gjatë vitit 2023 në dialogun Kosovë-Serbi, masat-sanksionet e vendosura nga Bashkimi Evropian, gjithashtu edhe disa nga ShBA-ja, tensionet apo incidentet që ndodhen në veri e deri tek sulmi në Banjskë që pastaj u ndërthuren me procesin e dialogut”.
“Integrimi euroatlantik, acarimi i marrëdhënieve me aleatët strategjik, moslëvizja e Kosovës për anëtarësim në BE dhe organizata ndërkombëtare kanë qenë sfidat e Kosovës në politikën e jashtme, ndërsa liberalizimi i vizave që ka qenë proces zvarritës dhe avancimi në disa faza në Këshill të Evropës, shihen si sukses i politikës së jashtme. Rritja e numrit të pjesëtarëve të KFOR-it tregon konsolidimin e marrëdhënieve me NATO-n, por gjithashtu anulimi i aktiviteteve të ‘Defender Europe ‘23’ konsiderohet si një dështim gjatë vitit 2023. Performanca e MPJD-së, ngjyrë gri, me rreth 403 takime dhe 50 konsultime politike në vende të ndryshme, konferenca angazhime me shtetet e QUINT-it dhe BE-së, por pa lëvizje në njohje të reja dhe anëtarësime në organizata ndërkombëtare” ka thënë Krasniqi. /EO