PIPS: Mbi 60% e qytetarëve të painformuar për planin evropian dhe dialogun
Bazuar në rezultatin e dalë, 64 për qind e 1.065 respondentëve të anketuar gjatë nëntorit të vitit të shkuar kanë thënë se janë të painformuar mbi planin e Bashkimit Evropian (BE) përderisa 61.7 për qind janë deklaruar se kanë pak njohuri mbi dialogun Kosovë-Serbi.
Informacione të pakta posedojnë qytetarët shqiptarë dhe ata serbë të Kosovës lidhur me planin evropian për normalizimin e marrëdhënieve Kosovë-Serbi, si dhe për procesin e dialogut në përgjithësi, është përfundimi i nxjerrë nga një anketë e kryer prej Institutit të Prishtinës për Studime Politike (PIPS).
Anketa është zhvilluar gjatë muajit mentor të vitit të shkuar, duke i përfshirë 1 mijë e 65 respondentë, prej të cilëve 865 ishin shqiptarë dhe 200 serbë nga të gjitha komunat e Kosovës.
Bazuar në rezultatin e dalë, 64 për qind e respondentëve kanë thënë se janë të painformuar mbi planin e Bashkimit Evropian (BE) përderisa 61.7 për qind janë deklaruar se kanë pak njohuri mbi dialogun Kosovë-Serbi. Të pyetur nëse e ardhmja e Kosovës rrezikohet po qe se nuk arrihet një marrëveshje finale me Serbinë, 63 për qind e të anketuarve janë përgjigjur me “jo”. Ndërkaq, 41.8 për qind e të anketuarve kanë theksuar se nuk besojnë që një marrëveshje përfundimtare do të ndikonte në përmirësimin e jetës së tyre krahasuar me 34.7 për qind të atyre që kanë shprehur mendim të kundërt.
E optimistë se një marrëveshje finale Kosovë-Serbi do të arrihet gjatë këtij viti apo brenda tre vjetëve të ardhshëm janë deklaruar 48 për qind e të anketuarve, kundruall 24 për qind të atyre që kanë shprehur qëndrimin e dialogu do të përfundojë pa një marrëveshje.
Krahas dialogut, pjesë e pyetjeve të anketës së PIPS-it ishte edhe siguria. Bazuar në rezultate, 93 për qind e të anketuarve shqiptarë e kanë kualifikuar Serbinë si kërcënimin kryesor për sigurinë rajonale përderisa 86 për qind e respondentëve serbëve, si kërcënim kryesor për sigurinë rajonale e kanë përmendur Kosovën.
Përkitazi me marrëveshjen për themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe, 97.6 për qind e të anketuarve kanë shprehur mendimin se Kosova do të ishte në rrezik po qe se formimi i këtij mekanizmi do të bëhej duke i përfshirë kompetencat ekzekutive, ndërkaq 57.4 për qind e kanë konsideruar të dëmshëm formimin e tij në përputhje me vendimin e Gjykatës Kushtetuese të Kosovës.
Jon Krasniqi, hulumtues në PIPS, gjatë prezantimit të rezultateve të anketës ka bërë të ditur se pjesa më e madhe e të pyeturve e kanë vlerësuar si të kënaqshme politikën e Jashtme të Kosovës.
“Gati gjysma e të anketuarve shprehen se janë të kënaqur me politikën e jashtme dhe me diplomacinë e Kosovës, ndërsa 30.8 për qind shprehen se janë vetëm pak të kënaqur. Edhe pse Kosova, e dimë që gjatë këtyre dy vjetëve ka pasur pengesa të shumta në diplomaci dhe në pozitën e saj ndërkombëtare, edhe të themi të drejtën ka pasur edhe mungesë të rezultateve shumë të mëdha, shumica e anketuarve apo 60.8 për qind besojnë se pozita e Kosovës në arenën ndërkombëtare është përmirësuar shumë në pesë vjetët e fundit, sidomos falë përmirësimit të qeverisjes së institucioneve të Kosovës”, ka deklaruar Krasniqi.
Gëzim Visoka, përgjegjës për analizimin e të dhënave, ka thënë se rezultatet e anketës janë pasqyrim i mostransparencës së të gjitha palëve.
“Ndër vite ka munguar ky dimension i përkthimit të dialogut, por edhe marrëveshjeve, në atë se çfarë përfitimesh kanë për qytetarët dhe si rezultat kemi një percepsion negativ qoftë për dialogun, qoftë për marrëveshjen, qoftë edhe për shumë tema tjera. Mosinformimi publik, në veçanti dykuptimshmëria që e ka përcjellë këtë dialog, është përcjellë në huti, hamendje, mosdije në publik që pastaj ka rezultuar edhe me përkrahje shumë të vogël për marrëveshje të caktuar”, ka thënë ai.
Sipas Visokës, procesi i dialogut ka ndikuar negativisht në legjitimitetin e tij, përderisa ka theksuar se saga e njëjtë e mostransparencës është duke e përcjellë edhe propozimin evropian.
“Po të ishte BE-ja më transparente, por edhe gjithë procesi, do të duhej të dilnin me një shpjegim të qartë, me një dokument përcjellës që e shpjegon në detaje secilën pikë që të mos lejojë hapësire për interpretim dhe konflikt”, ka thënë ai.
Daniel Braun, shefi i zyrës së Konrad Adenauer Stiftung në Kosovë, ka thënë se Kosova dhe Serbia duhet të angazhohen për një të ardhme më të mirë për të dyja palët.
“Ka shumë shpresë se mund të vazhdojmë të ecim para për të dyja vendet. Sigurisht, e di që ndonjëherë, këtu në Prishtinë, është e vështirë të dëgjosh për kompromise duke ditur se kush e ka filluar luftën. Është më e vështirë të bësh kompromise me dikë që njerëzit e konsiderojnë si agresor, por besoj që një marrëveshje e qëndrueshme për të ardhmen ka nevojë për kompromise në të dhe besoj që Kosova dhe politikanët veprojnë mençur edhe kompromisi do të jetë në favor të vendit”, ka deklaruar ai.
Të anketuarit janë pyetur edhe për çështje të tjera, si anëtarësimi i Kosovës në BE, besimi në organizata ndërkombëtare, në liderët botërorë e në shtetet që perceptohen si aleate. Për 68.5 për qind të të anketuarve, Shtetet e Bashkuara të Amerikës janë kualifikuar si aleati më i çmuar i Kosovës, duke u pasuar nga Gjermania (me 15.8 për qind) dhe nga Mbretëria e Bashkuar (6.1 për qind).
Mes liderëve më të besueshëm botërorë, 63 për qind e të anketuarve kanë numëruar presidentin amerikan, Joe Biden, pasuar ai turk, Recep Tayyip Erdogan (me 13 për qind) dhe kancelari gjerman, Olaf Scholz, (me 11 për qind).