Pira rrëmben çmimin ‘Ylli i javës’
Federata e Futbollit të Kosovës dhe sponsori i Superligës, Albi Mall, vazhdojnë të ndajnë çmimin “Ylli i javës”. Ky çmim për javën e pestë në Albi Mall Superligë i është ndarë futbollistit të FC Malisheva, Arbër Pira.
Vlerësimi i më të mirit të javës është bërë nga Komisioni i Veteranëve të Futbollit në përbërje të Vllaznim Visokës, Selajdin Jerliut dhe Muhamet Sylejmanit.
Ky komision vendosi që çmimi “Ylli i Javës” për xhiron e katërt t’i takojë Piras, i cili për 90 minuta ishte lojtari më i rëndësishëm i skuadrës së tij. Arbër Pira, ndonëse mbrojtës, shënoi golin e epërsisë për 1:2 për skuadrën e tij dhe asistoi në golin e tretë, i cili vulosi fitoren e FC Malisheva në Klinë me rezultat 1:3. Aktualisht Malisheva ka të arkëtuara 10 pikë dhe ndodhet e dyta në tabelë me një ndeshje më pak.
“Ndeshja me Dukagjinin ka qenë shumë e mirë. Trajneri e ka përgatitur shumë mirë dhe ne e realizuam saktësisht atë që kishim planifikuar. Motivi ka qenë shumë i lartë dhe besoj se karakteri i shumë lojtarëve ka bërë diferencën në një fushë të rënduar që ne të marrim 3 pikë të merituara. Kam shënuar një gol dhe kam bërë një asistim. Ka qenë një ndjenjë shumë e mirë të ndihmoj ekipin. Pretendimet e FC Malisheva janë që të jemi në pjesën e lartë të tabelës dhe nuk kemi pretendime për të dalë kampion. Kemi një ekip shumë të mirë, të përbërë nga lojtarë të rinj shumë të talentuar, mendoj se mund të arrijmë lart me këtë ekip. Është një ndjenjë e mirë të shpallem “Ylli i Javës”, një motiv shtesë për xhirot e ardhshme. Falënderoj stafin teknik dhe bashkëlojtarët, sepse pa ta nuk do të shpallesha më i miri i javës. Uroj që sa më shumë lojtarë të FC Malisheva të shpallen më të mirët e javës”, ka thënë Pira për faqen zyrtare të FFK-së.