Piraj: Qeveria ta bëjë aktin e parë sa i përket reciprocitetit, mosnjohja e Serbisë si shtet
Pronari i fabrikës “Meka” dhe njohësi i çështjeve ekomomike, Burim Piraj, ka folur rreth paralajmërimeve të kryeministrit Albin Kurti për zëvendësimin e taksës 100 për qind me vendosjen e masës së reciprocitetit me Serbinë.
Piraj në këtë bisedë për gazetën “Epoka e re”, ka thënë se pika e parë e reciprocitetit duhet të jetë çështja e njohjes në mes të Kosovës dhe Serbisë.
Ai ka theksuar se nëse Serbia nuk e njehë Kosovën si shtet, të njëjtën gjë duhet të bëjë edhe shteti ynë.
Në këtë kontekst, Piraj ka thënë se Qeveria e Kosovës duhet ta ketë një akt juridik në të cilin do të saktësohet se si do t’i referohet Serbisë tani e tutje.
“Miratimi i taksës 100 për qind ka qenë një vendim politik, i cili është miratuar për t’iu kundërvënë politikës së ashpër të Serbisë në arenën ndërkombëtare për mos lejimin e anëtarësimit të Kosovës në organizatat ndërkombëtare siç ishte rasti i UNESCO dhe ai më i rëndësishmi në INTERPOL, gjithashtu fushatës së tyre për tërheqjen e njohjeve të Kosovës derisa të përfundojnë bisedimet Kosovë-Serbi”, ka thënë Piraj.
Sipas Pirajt, taksa 100 për qind e ka arritur efektin e saj në arenën ndërkombëtare. Ai ka thënë se taksa ua ka bërë me dije vendeve të ndryshme se Kosova nuk është Serbi dhe se Kosova ka sovranitet për të vendosur barriera ndaj Serbisë njëjtë sikur ajo që ka vendosur ndaj Kosovës.
“I ka treguar botës së në mes Kosovës dhe Serbisë nuk ka kufi administrativ, po ka kufi ndërshtetëror që i ndaj dy vende të ndryshme. Pas miratimit të taksës i ka rënë ndjeshëm fuqia Serbisë për të bindur shtete të ndryshme kryesisht duke korruptuar ministritë e tyre të jashtme të tërheqin njohjen e Kosovës”, është shprehur ai.
Më tutje, Piraj ka thënë se përpos efektit politik, taksa ka arritur dhe efektin ekonomik.
“Kompanitë kosovare që i kanë pasur konkurrente prodhimet e Serbisë dhe Bosnjës e kanë shtuar prodhimin. Me këtë e kanë rritur numrin e të punësuarve gjë që punësimi për momentin është një interes shumë i rëndësishëm nacional. Gjithashtu firmat kosovare duke pas shitje më të madhe në treg e kanë rritur ndjeshëm dhe cilësinë e produkteve dhe kanë arritur të përfitojnë konsumatorët me cilësi. Ajo që është më e rëndësishmja, taksa për herë të parë e ka zgjuar patriotizmin ekonomik të kosovarëve të cilët shumë shpejt patën filluar të harrojnë historinë dhe të blejnë prodhime serbe. Gjithashtu taksa e ka rritur sigurinë shëndetësore të qytetarëve të Kosovës, pasi dyshohet se shumë prodhime të prodhuara në Serbi me destinacion për Kosovë kanë përmbajtur materie të dëmshme për shëndetin e njeriut”, ka deklaruar Piraj.
Pronari i “Mekës”, Burim Piraj, ka theksuar se i vetmi efekt jo i pëlqyer ka qenë ngritja e vogël e çmimeve të prodhimeve që më parë janë importuar nga Serbia.
“Këtë do të duhej ta pranonte çdo qytetar i Kosovës pa asnjë ankesë sepse sikur sovraniteti i vendit të paguhej me para do të ishte forma më e lehtë për të arritur deri aty. Për këtë vend shumë gjak dhe shumë mundë është derdhur, prandaj duhet ta ketë në konsideratë çdo qytetar dhe vetëm ata që janë qyqar dhe pro serb mund të ankohen për një gjë të tillë”, ka deklaruar Piraj.
Ai ka thënë se për një kosto shumë pak më të shtrenjtë qytetarët e Kosovës kanë blerë prodhime më të mira dhe më të sigurta. Në këtë kontekst, ai ka thënë se ia kanë pamundësuar Serbisë të krijojë pasuri për të blerë armatim rus.
“Nga aspekti ekonomik vendosja e taksave është e palejuar dhe është metodë e së kaluarës dhe si vendim ekonomik është i papranuar! Mirëpo, si vendim politikë ka qenë shumë i qëlluar. Duhet cekur se me Traktatin e Lisbonës si aktin më të lartë të funksionimit të Unionit Evropian janë të sanksionuara barrierat tarifore dhe jo tarifore në Evropë dhe në vendet të cilat pretendojnë të bëhen anëtare të Unionit Evropian”, është shprehur Piraj.
Në këtë bisedë për gazetën “Epoka e re”, ai ka folur edhe për reciprocitetin, duke thënë se pika e parë e kësaj mase duhet të jetë mosnjohja e Serbisë shtet ashtu sikur Serbia nuk e njeh Kosovën.
“Reciprociteti ndaj Serbisë prapë është një akt politik dhe në asnjë mënyrë nuk duhet të lidhet me ekonominë edhe pse pritet të prodhojë dhe efekte ekonomike në të dyja anët, në Serbi humbje, ndërsa në Kosovë përfitim! Çka do të thotë reciprocitet me Serbinë!? Pika e parë është mosnjohja e Serbisë si shtet, ashtu si Serbia nuk e njehë Kosovën, gjë për të cilën Qeveria duhet ta ketë një akt juridik në të cilin do t’i referohet Serbisë tani e tutje. Nga ky akt pasojnë efektet si: mosnjohja e dokumenteve personale të qytetarëve të Serbisë, mosnjohja e targave të automjeteve, mosnjohja e dokumenteve doganore të eksportit pa referencë në aktin juridik të Kosovës, mos lejimi i transitit të mallrave siç nuk lejon Serbia transitin e mallrave për Kosovë ngase e konsideron Kosovën territor të vetin! Me një fjalë reciprociteti nuk është subjekt i asnjë tarife ose i barriere ekonomike, por është një kundërvënie politike në mënyrë reciproke ashtu si Serbia vepron ndaj Kosovës në masë të njëjtë Kosova të sillet ndaj Serbisë pa ekzagjerime dhe pa asnjë masë shtesë”, ka deklaruar Piraj.
Ai ka thënë se në këtë mënyrë Kosova karshi faktorit ndërkombëtarë nuk do të jetë një shtet që krijon barriera tarifore e që janë të sanksionuara me Traktatin e Lisbonës nga i cili traktat rrjedhin të gjithë ligjet ekonomike në Evropë.
Albulena S.MAVRAJ