Piramida e RSFJ-së zhvendoset nga Kosharja, tash ruhet në muzeun e Ferizajt
Kryetari i komunës së Ferizajt, Agim Aliu, ka falënderuar ushtarët ferizajas që kanë luftuar në betejën e Koshares gjatë vitit 1999, e të cilët kanë sjellë në Ferizaj piramidën e RSFJ-së të vendosur në kufirin shqiptaro-shqiptar. Kjo piramidë tashmë është arkivuar në muzeun e qytetit.
Shkrimi i plotë i Aliut:
Shqipëria andej dhe këndej Drinit, për dekada ishte e ndarë. Gurët e kufirit shqiptaro-shqiptar në Koshare, u shkulën me gjak dëshmorësh e luftën heroike të djemve e vashave tona, për ta shembur përjetë krijesën artificiale monstruoze të quajtur Jugosllavi, prerjen në mes të trupit tonë kombëtar me thikën e robërisë, që me gjithë tiraninë, gjenocidin, spastrimin etnik, asnjëherë nuk ndalën popullin, trimat e trimëreshat tona së ëndërruari e luftuari për lirinë.
Ky gur kufiri nga majat e Koshares u bart e u soll në Ferizaj nga luftëtarët ferizajas të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në Brigadën 138 “Agim Ramadani”, Hajrullah Elezi, Bedri Ymeri e Basri Berisha, gur që ruhet në Muzeun e Qytetit, si dëshmi e një absurdi shtetëror, dhembje shekullore e triumfi të gjakut e rrënjëve tona andej dhe këndej kufirit.