Pishina e Gërmisë hapet për vizitorë vikendin e ardhshëm, këto janë çmimet
Ndonëse temperaturat e larta kanë përfshirë vendin tonë tash e disa ditë, pishina “Gërmia” në Prishtinë ende nuk është hapur për vizitorët. Kjo, për shkak se operatori ekonomik është tërhequr dhe se procedurat ligjore për të përzgjedhur dikë tjetër, kanë bërë që të shtyhet data e hapjes.
Ushtruesja e detyrës së kryeshefit ekzekutiv të ndërmarrjes publike “Sport Marketing”, Artina Canolli në një intervistë për KosovaPress thotë se hapja e pishinës planifikohet të bëhet gjatë vikendit të ardhshëm, më 28 qershor. Ajo potencon se tërheqja e operatorit ekonomik në moment të fundit, për të cilin thotë se ka pasur presion politik e publik, ka shkaktuar shtyrjen e hapjes së pishinës.
Përveç këtyre, Canolli tregon se nuk do të ketë rritje të çmimeve krahasuar me vitin e kaluar. Në sezonin e kaluar, gjatë pesë ditëve të javës, çmimet për biletën hyrëse varionin nga dy euro për fëmijë dhe katër euro për të rritur. Ndërsa, në vikend, çmimi i hyrjes për të rritur ishte pesë euro, kurse për fëmijë çmimi mbetej i njëjtë. Ndërkohë që, çmimi i biletës mujore ishte 50 euro.
Canolli potencon se këtë vit do t’i japin më shumë rëndësi shërbimit, cilësisë dhe higjienës. Pishina e Gërmisë e njohur edhe si Liqeni i Gërmisë është një pishinë e tipit të hapur me ujë të freskët (të ëmbël) në pjesën periferike të kryeqytetit të Kosovës, në një distancë prej afër 5 km nga qendra e Prishtinës. Ajo është ndërtuar në vitin 1987 dhe ndodhet në kuadër të Parkut të Gërmisë.