Pjesë e qeverisë, edhe PSD-ja e Dardan Molliqajt
Pas prishjes së koalicionit ‘të shpresës’, pas vetëm 50 ditëve bashkëpunim dhe bashkëjetesë, në mes të Lëvizjes Vetëvendosje dhe Lidhjes Demokratike të Kosovës, tanimë të gjitha partitë politike duan formim të qeverisë së re, përjashtuar LV-në e cila dëshiron zgjedhje të reja.
Presidenti i vendit, Hashim Thaçi, ka mbajtur dje një takim me të gjitha partitë politike dhe, përveç Lëvizjes Vetëvendosje, të gjitha partitë politike kanë thënë se duan qeveri të re.
Presidenti Thaçi ka thënë se partia apo koalicioni që do të ketë numrin e mjaftueshëm të votave do t’i takojë formimi i qeverisë së re.
Këtë shumicë parlamentare e ka Lidhja Demokratike e Kosovës dhe, së bashku me AAK-në, Nismën dhe minoritetet, ka thënë se do ta formojë qeverinë.
Burime të Indeksonline kanë thënë se Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës pritet të ketë tri ministri në qeverinë e re.
Kryetari i partisë, Ramush Haradinaj, do të kërkojë nga kryesia e partisë që njëra ministri t’i takojë PSD-së. Në mbledhjen që do të mbahet nesër, Haradinaj do të paraqesë këtë kërkesë e cila pritet të shqyrtohet nga organet më të larta partiake. Haradinaj pritet të propozojë këtë vendim fal respektit që ka për PSD-në nga koalicioni që kishte me të në zgjedhjet e fundit.