Pjesëmarrja e boshnjakëve të Kosovës në procesin e dialogut është e domosdoshme
Ćerim Bajrami
– Boshnjakët kundër ndarjes së Kosovës dhe shkëmbimit territorial me Serbinë
Pothuaj nga të gjitha palët paralajmërohet përshpejtimi i dialogut midis Kosovës dhe Serbisë me qëllim të nënshkrimit të mundshëm të një “marrëveshjeje ligjërisht e detyrueshme” midis dy vendeve. Në anën tjetër, askush nuk ka iluzione se këto marrëveshje që do të pasojnë në muajt e ardhshëm do të jenë të lehta. Në lidhje me këtë, presidenti i Republikës së Kosovës, z. Hashim Thaçi, flet edhe për “kompromise të dhimbshme”, ndërsa presidenti serb, Aleksandar Vuçiq, rregullisht thekson dhe vëmendjen përqendron në fjalën “kompromis” për të cilën nuk ka thënë ende publikisht se çfarë nënkupton kompromisi për Serbinë. Andaj, ditët e fundit bashkëpunëtorët e tij të ngushtë nuk hezitojnë të flasin se kjo do të thotë ndarje e Kosovës që përafërsisht nënkupton se katër komunat në veriun e saj do t’i përkasin Serbisë.
Po ashtu, flitet që ka pasur edhe propozime joformale për një shkëmbim të këtij territori (përndryshe ekonomikisht jashtëzakonisht i rëndësishëm për Kosovën) me luginën e Preshevës, pjesa e të cilit do t’i takonte Kosovës.
Tek faktorët politikë të Kosovës, përpos kundërshtimit për ndarje, ende nuk ka konsensus midis pozitës dhe opozitës rreth “vijave të kuqe”, respektivisht rreth formimit të një ekipi të përbashkët për negociatat përfundimtare me Serbinë, ndonëse për një unitet po bëhen shumë thirrje edhe nga ana e presidentit të shtetit Thaçi, kryeministrit Haradinaj dhe tani edhe nga kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, i cili e ka pasur në agjendë çështjen e arritjes së një konsensusi kombëtar për dialogun me Serbinë, ku në takimin më 23 korrik kanë marrë pjesë vetëm përfaqësues të koalicionit qeverisës dhe përfaqësues të komuniteteve joserbe nga Grupi 6+.
Komuniteti ndërkombëtar, duke përfshirë ShBA-në, e mbështet dialogun dhe kërkon një zgjidhje ligjërisht të detyrueshme. Bisedimet drejt normalizimit po mbahen në Bruksel nën patronazhin e BE-së dhe ndërmjetësimin e përfaqësueses së lartë të BE-së, Federica Mogherini…
Boshnjakët e Kosovës, si komunitet i dytë joshumicë nga numri, menjëherë pas serbëve, dhe si një popull që ka qenë kurdoherë i pranishëm në komunat e veriut të Kosovës si për nga numri i tyre ashtu edhe nga lokalitetet e veçanta dhe pronës të patundshme, ndonëse të dobësuar, politikisht gjithsesi të ndarë, dhe pa ndihmë nga ana e të tjerëve, nuk duhet të përjashtohet përsëri në këtë fazë përfundimtare të dialogut, në të kundërtën askush nuk mund të garantojë se të drejtat e tyre do të jenë të garantuara në mënyrë adekuate me marrëveshjen eventuale, veçanërisht në kuadër të komunave në Kosovën e veriore.
Këtu duhet theksuar se nuk ka dyshim se në interes të boshnjakëve nuk është ndarja e Kosovës apo shkëmbimi territoresh, sepse në të dyja rastet qytetarët e Kosovës do ta humbasin numrin e popullit dhe territorin e tyre, përkatësisht vendbanimet boshnjake në veri të Kosovës.
Pa mospjesëmarrjen e boshnjakëve në bisedime humbet edhe ajo pak çfarë mund të fitohet. Të përkujtojmë vetëm disa marrëveshje të nënshkruara vitet e fundit në Bruksel, për shembull atë për gjykata dhe prokurori. Pikërisht këto marrëveshje, siç kam theksuar publikisht në disa raste në Kuvendin e Kosovës në rolin e ish-deputetit, kanë qenë dhe vazhdojnë të jenë dyetnike sepse saktësisht precizojnë vetëm numrin e gjyqtarëve dhe prokurorëve shqiptarë dhe serbë, prandaj (jo vetëm sipas meje) drejtpërdrejt janë shkelur dispozitat e Kushtetutës së Kosovës dhe Planin e Ahtisarit për Kosovën.
E ngjashme dhe e njëjtë ishte situata edhe e marrëveshjeve të tjera që kanë prekur “integrimin e pakicës serbe në veri”, respektivisht punësimin në Policinë e Kosovës, në administratë etj., ku janë punësuar vetëm anëtarët e komunitetit serb.
Përveç shkeljes së të drejtave në punësim, boshnjakët në komuna në veri të Kosovës nuk kanë të drejtën elementare njerëzore dhe kombëtare – fëmijët e tyre nuk kanë të drejtën e shkollimit në gjuhën amtare, në gjuhën boshnjake, nga ana tjetër bashkatdhetarët e tyre që jetojnë në komunat e tjera të Kosovës këtë të drejtë e kanë tanimë 19 vjet rresht etj. Pse për këtë është heshtur, ose nuk është folur fare, është tregim tjetër dhe i gjatë.
Veç këtyre, duhet të thuhet se boshnjakët në veri nuk kanë as lirinë e të shprehurit për ta bërë këtë të çartë publikisht ose të kërkojnë këtë të drejtë në vazhdimësi. Sigurisht, gjithmonë ka përjashtime, si rasti i ish-kuvendarit në Kuvendin e Mitrovicës së Veriut, Nexhat Ugljanin, i cili, fatkeqësisht, nuk është rizgjedhur për shkak të rrethanave dhe gabimeve mes boshnjakëve në procesin e zgjedhjeve. Kështu aktualisht boshnjakët në atë komunë e as në Komunën e Leposaviqit nuk kanë më kuvendarë të tyre në kuvendet lokale.
Dhe duke folur për lirinë dhe sigurinë në atë pjesë të Kosovës, le të kujtojmë se nuk ka lëvizur asgjë dhe nuk është hedhur asnjë dritë lidhur me vrasjen e aktivistit politik boshnjak Shefko Salkoviq i cili është vrarë në fshatin Rvatske në dhjetor të vitit 2010. Të ndjerin ish-presidentja e Kosovës në vitin 2012 e kishte dekoruar me medaljen e heroit kombëtar. Por, për fat të keq, gjithë këtë kohës e veja e tij dhe vajza e vogël kanë ngelur në (pa) mëshirën e askujt dhe nuk kanë asnjë ndihmë si nga niveli lokal, po ashtu edhe nga shteti i Kosovës.
Një fat i ngjashëm e ndan edhe Edin Islamoviq, shoku i mbijetuar i Shefkos që me atë rast si bashkëudhtar u plagos rëndë, në prit në atentatin kundër tyre. Edini bashkë me shoqen dhe fëmijët endet nëpër Mitrovicën e Jugut, meqë pas disa muajsh e kanë larguar nga puna në administratën e komunës. Atë e kanë larguar nga puna para katër-pesë vjetësh, menjëherë pasi pushtetin lokal e ka marrë ekipi i kryetarit Bahtiri, me arsyetim se Islamoviqi ka qenë në grupin e atyre aktivistëve përkrahës të PDK-së që janë punësuar në mënyrë jo të rregullt.
Duke marrë parasysh të gjitha këto dhe faktin se boshnjakët në “Mahallën e Boshnjakëve” në Mitrovicë dhe në fshatin e madh Rvatska në Leposaviq, ende mbijetojnë, pavarësisht prej sfidave të mëdha dhe dëbimit masiv, përfaqësuesit e boshnjakëve, Qeveria, presidenti, kreu i Kuvendit, i Republikës së Kosovës, si dhe komuniteti ndërkombëtar, menjëherë duhet të bëjnë gjithçka që është e mundur të legjitimohen interesat e ligjshme të këtij komuniteti të vjetër në atë pjesë të Kosovës, që edhe ato të jenë subjekt i të gjitha marrëveshjeve dhe (nën)akteve ligjore. Ndërsa përfshirja e tanishme për dialog të përfaqësuesve legjitimë të boshnjakëve të Kosovës në ekipin negocues dhe në trupat punuese të paralajmëruara do të ishte hapi i parë i këtyre pritjeve legale e demokratike.
(Autori është zëvendësministër i Ministrisë së Diasporës dhe Investimeve Strategjike, dhe ish-deputet në Kuvendin e Kosovës nga komuniteti boshnjak)