Pjesëmarrja e Serbisë në dialog është false
Zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi, ka thënë se pjesëmarrja e Serbisë në dialog është false.
“Çfarë nevojitet më shumë për t’ju bindur se për Serbinë nuk ka Marrëveshje Bazike? Që pjesëmarrja e saj në dialog është false vetëm për të evituar sanksione eventuale?
Edhe sa drafte të planit të sekuencimit na nevojiten derisa t’u shfaqet e vërteta shteteve anëtare?”, ka shkruar Bislimi.
Bislimi i ka bërë këto komente në Twitter, kur ka shpërndarë një fjalim të kryeministrit serb, Milosh Vuçeviq, i cili ka thënë se Serbia nuk e ka pranuar planin franko-gjerman, për normalizimin e marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë.
“Nuk e kemi nënshkruar dhe kemi bërë deklarime të qarta dhe kemi thënë shumë qartë se është e papranueshme çfarëdo implikimi implicit dhe eksplicit i një të ashtuquajture Kosovë e pavarur. Është një vijë e kuqe për Republikën e Serbisë. A mund të flasim? Do të flasim. Ne po përdorim çdo hapësirë manovrimi për ta përdorur në mënyrë që shtetin të mos na e varrosin për të disatën herë në historinë e kohërave të fundit, të mos na ndjekin, të mos na dënojnë, të mos na sanksionojnë”.
“Në mënyrë që të mos humbim diçka vërtetë me vlerë, duke mbrojtur gjithashtu diçka shumë me vlerë për qytetarët e Kosovës. Dhe vetëm kuptoni pak se nuk duhet që të gjitha kartat gjithmonë t’i tregojmë publikisht, sepse është kundërproduktive për pozitën e Serbisë”, ka thënë kryeministri serb.