Pjesëmarrja e FSK-së në stërvitjen ‘Defender Europe 21’, ngjarje e rëndësishme
Ministri i Mbrojtjes, Armend Mehaj, dhe komandanti i FSK-së, gjenerallejtënant Rrahman Rama, kanë mbajtur të enjten konferencë për media në lidhje me stërvitjen “Defender Europe 21”, në të cilën do të marrë pjesë edhe FSK-ja.
Ministri Mehaj në fjalën e tij ka paraqitur rëndësinë e këtij ushtrimi për FSK-në dhe Kosovën, duke theksuar faktin se bashkëveprimi i FSK-së në një ushtrim të përmasave të tilla me ushtrinë e ShBA-së, aletit tonë kryesor strategjik dhe vendeve të tjera aleate, është një ngjarje shumë e rëndësishme.
“Kjo stërvitje ka ndikim të jashtëzakonshëm në mjedisin e sigurisë rajonale në Ballkanin Perëndimor dhe shpreh fuqishëm qëllimin strategjik dhe përkushtimin e ShBA-së dhe aleatëve të saj, në mesin e tyre edhe të Kosovës, për një Ballkan dhe Evropë në paqe, siguri dhe stabilitet”, ka thënë ai.
Mehaj ka thënë se stërvitja “Defender Europe 21” na ofron mundësinë më të mirë për t’i rritur aftësitë tona së bashku me ShBA-në dhe aleatët e partnerët e tjerë në mënyrë që të jemi të gatshëm t’i përgjigjemi çdo lloj krize.
“Pjesëmarrja e Kosovës në këtë stërvitje si vend partner i ShBA-së është ngjarje e rëndësishme që dëshmon përkushtimin e Republikës së Kosovës për paqen, sigurinë dhe stabilitetin rajonal dhe më gjerë, përmes gatishmërisë dhe ndërveprimit ushtarak të FSK-së me forcat amerikane dhe forcat e vendeve partnere”, ka deklaruar ministri Mehaj.
Ndërsa komandanti i FSK-së, Rrahman Rama, është përqendruar tek objektivat e ushtrimit, nivelin e përgatitjeve, gatishmërinë e trupave për ndërveprim dhe koordinim me ushtritë e tjera në terren dhe objektivat që priten të arrihen.
“Ky ushtrim ka për qëllim ta ndërtojë gatishmërinë operacionale dhe ndërveprueshmërinë mes të gjithë aleatëve dhe partnerëve. Përfshirja e FSK-së në këtë ushtrim ka domethënie të madhe. Pjesëmarrja e FSK-në në këtë ushtrim ngrit aftësitë e personelit tonë për kryerjen e detyrave. Pjesëmarrja në këtë ushtrim demonstron aftësinë e vendit për të shërbyer si partner strategjik i sigurisë në regjion dhe më gjerë. FSK-ja do të vazhdojë të jetë pjesë e ushtrimeve dhe trajnimeve ndërkombëtare për t’i ngritur aftësitë e veta operacionale dhe të jetë e ndërveprueshme me partnerë”, ka thënë Rama.
Kosova në këtë ushtrim do të jetë në mesin e 16 vendeve pritëse. FSK-ja është e përfshirë me 330 pjesëtarë. Pjesa kryesore e ushtrimit do të realizohet nga data 17 deri 29 maj 2021. Komanda e Lartë (HICON) dhe Audienca
Sekondare do të jenë të vendosura në Aeroportin e Gjakovës, kurse Ushtrimi Fushor do të realizohet në zonën e trajnimit në “Babaj të Bokës” në Komunën e Gjakovës.