Pjesëtarët e komunitetit serb të gatshëm për të shërbyer në FSK
Ministri i Forcës së Sigurisë së Kosovës (MFSK), Rrustem Berisha, ka vizituar Regjimentin e Mbrojtjes Civile të FSK-së në kazermën “Evropianët e rinj”, ku u prit nga udhëheqësi i këtij regjimenti, Shaip Haziri.
Fillimisht, ministri Berisha është njoftuar shkurtimisht nga kolonel Haziri për punën dhe aktivitetet e njësisë që ai komandon, gjendjen e personelit, raportet ndër njerëzore si dhe me kushtet e punës të pjesëtarëve të FSK-së në Regjimentin e Mbrojtjes Civile dhe në njësitë e saja të specializuara.
Më pas i shoqëruar edhe nga shefja e Zyrës për Komunitete, Lejla Loci, ministri Berisha ka vizituar pjesëtarët e komunitetit serb që shërbejnë brenda njësive të Brigadës për Mbështetje Operacionale.
“Ndjehem mirë që asnjëri prej pjesëtarëve që kanë paraqitur kërkesë për demobilizim nuk kanë pasur ankesa sa i përket trajtimit, punës apo marrëdhënieve ndërnjerëzore dhe ndëretnike në FSK-ja. Në këtë aspekt më gëzon fakti se çdo ditë ka kërkesa nga të rinjtë e këtij komuniteti për t’u rekrutuar në FSK-ja”, ka thënë Berisha.
Berisha ka premtuar mbështetje për pjesëtarët FSK-së nga komuniteti serb. “I garantojë ata që FSK-ja është institucion i të gjithëve që jetojnë në Kosovë dhe se FSK-ja është dhe do të jetë institucion shumetnik, dhe se ndërtimi dhe zhvillimi i Forcës e përfaqësuar nga të gjithë dhe në shërbim të gjithë qytetarëve të Republikës së Kosovës varet nga angazhimi dhe puna e gjithsecilit brenda institucionit”, ka thënë ai.
Në këtë takim të gjithë pjesëtarët kanë shprehur gatishmërinë për shërbim në FSK, dhe se nuk kanë venë në diskutim ndonjë dilemë, përveç se bashkërisht me pjesëtarët e tjerë të zhvillohen dhe të punojnë në të mirë të FSK-së si institucion i cili u shërben të gjithë qytetarëve të shtetit të Kosovës.