Pjesëtari i FSK-së shpërblehet nga “Epoka e re” me librin “Dritë mbi plagë”
Disa ditë më parë gazeta “Epoka e re”, në llogarinë e vet në “Facebook”, në shenjë të përkujtimit të të rënëve për lirinë e Kosovës, ka publikuar një fotografi me portrete të heronjve të Kosovës të punuara nga piktori Kushtrim Dacaj.
Me këtë rast gazeta ka ofruar një libër falas për atë person që përmend emrat e të gjithë heronjve në fotografi.
Pas shumë komenteve të lexuesve për njohjen e shtatëdhjetë heronjve, pjesëtari i Forcës së Sigurisë së Kosovës nga fshati Balincë e Malishevës, Përparim Gashi, ka identifikuar gjashtëdhjetë emrat dhe mbiemrat e heronjve në fotografi. Ai ka ardhur sot në gazetën “Epoka e re” në Prishtinë dhe e ka tërhequr shpërblimin, librin “Dritë mbi plagë” botuar nga Qendra e Gjenocidit në Kosovë “Plagë e hapur” dhe ka bërë një fotografi me drejtorin e përgjithshëm të gazetës, Sadik Zeqiri.