Pjetër Shala dënohet me 18 vjet burgim nga Gjykata Speciale
Ish-eprorit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), Pjetër Shala është dënuar me 18 vjet burgim nga Gjykata Speciale.
Ky vendim është marrë të martën nga trupi gjykues i kësaj gjykate, i cili ka administruar procesin gjyqësor në rastin e Pjetër Shalës.
Shala është gjetur fajtor për veprat si: ndalim arbitrar, torturë, trajtim mizor e vrasje të paligjshme.
Kryetarja e trupit gjykues, ka theksuar se të gjitha provat kanë dëshmuar se Pjetër Shala është fajtor.
“Në emër të popullit të Kosovës, për arsye të shtjelluara në aktgjykim, trupi gjykues në bazë të ligjit iu shpall z. Shala fajtor për veprat penale në vijim: pika 1 ndalim arbitrar si krim lufte, pika 3 torturë si krim lufte, dhe pika 4 vrasje e paligjshme si krim lufte”.
“Z. Shala duke qenë se jeni shpallur fajtor për më shumë se një vepër penale, trupi gjykues ka përcaktuar dënim më vete për secilën vepër penale. Trupi gjykues ka përcaktuar dënimet në vijim: dënim me 6 vjet burgim për krimin e luftës së ndalimit arbitrar, dënim me 16 vjet burgim për torturë, dhe dënim me 18 vjet burgim për vrasjen e paligjshme. Ju dënon me dënim 18 vjet burgim”, ka thënë ajo.