Pjetër Shala kërkon që dëshmitarët të dëgjohen në seanca publike
Avokati mbrojtës i Pjetër Shalës, Jean-Louis Gilissen, ka kërkuar që seancat në këtë proces gjyqësor të jenë sa më shumë publike.
Sipas tij, një gjykim duhet të jetë publik për të qenë i drejtë, por duke mos përjashtuar kujdesin e sigurisë për të dhënat identifikuese të dëshmitarëve.
Në fillim të seancës të mërkurën Gilissen ka folur rreth vendimit të Shalës për të mos marrë pjesë fizikisht në gjykatore, dhe sipas tij, një gjë e tillë po ndodh për shkak se pjesa më e madhe e dëshmive po mbyllen për publikun.
Sipas tij, Pjetër Shala kishte kontaktuar të martën me disa të njohur në Belgjikë e të cilët kishin thënë se nuk po kuptojnë asgjë nga ajo çfarë po ndodh në sallën e gjyqit, për shkak të dëshmia po dëgjohet në seancë private.
“E takova dje në mbrëmje në objektin e paraburgimit, ishte shumë e vështirë të flisje me të, dhe dje humbëm, Shala nuk e ndoqi seancën, mund të them që sistemi gjyqësor po ashtu e humbi z. Shala. Është dëshirë e z. Shala të jetë i pranishëm. Ai dëshiron të jetë i pranishëm gjatë seancave. Kur ai më shpjegoi, dhe unë jam shumë i ndjeshëm, sepse është shumë delikate, më tha arsyen pse, ai e vlerëson që jemi të gjithë profesionistë dhe duhet ta mendojmë nga një pikëpamje më e gjerë, më tha se ajo që ndjeu ai, mbase për mirë apo për keq, ishte shumë e dhimbshme për të që po dëgjonte shumë nga gjërat që nuk po thuheshin në publik”, ka thënë avokati.
Ai ka thënë se Shala është i vetëdijshëm për çështjen e sigurisë së dëshmitarëve por sipas tij publiku duhet të dijë se çfarë po ndodh në sallën e gjyqit.
Lidhur me këtë, nga Zyra e Prokurorit të Specializuar kanë thënë se janë përpjekur që dëshmitarët t’i marrin në pyetje sa më shumë në seanca publike por sipas tyre kjo nuk është e mundur gjatë gjithë kohës.
Ndërsa mbrojtësi i viktimave, Simon Laws, ka thënë se prioritet duhet të jetë siguria e dëshmitarëve.
Por sipas avokatit të Shalës, një gjyq duhet të jetë publik për të qenë i drejtë.
“Një gjyq, për të qenë i drejtë duhet të jetë publik, ju lutem, prioriteti është një proces publik, është një garanci, por sigurisht që duhet të jemi të kujdesshëm sa i takon aspektit të sigurisë, veçanërisht bazuar në informacionin lidhur me identifikimin, të dhënat identifikuese për dëshmitarët dhe për sigurinë e tyre. Përkundrazi, me gjithë respekt, parashtroj dhe e theksoj këtë, seancat publike janë një garanci për gjykimin dhe në kundërshtim me mbrojtësin e viktimave mund të them që jo, kjo është një gjë shumë e rëndësishme, këtu duhet të gjejmë ekuilibrin. E dimë që është delikate për ju të nderuar gjykatës, është e vështirë për palët por nuk duhet të harrojmë parimet, dhe parimi është seanca publike”, ka thënë ai.
Ndërsa kryetarja e turpit gjykues, Mappie Veldt Foglia ka thënë se nëse trupi gjykues e kupton që një pjesë e transkriptit të seancave që është në privat mund të rikalsifikohet si publik, do ta bëjnë një gjë të tillë.
Këtë seancë Pjetër Shala e ka ndjekur nga qendra e paraburgimit, përmes video-lidhjes. (Kp)