“Plagë zemre”, libri më i ri i Ramë Bashotës
Nën përkujdesjen e shtëpisë botuese “Armagedoni” ka dalë të shtunën nga shtypi libri me poezi “Plagë zemre” i autorit Ramë Bashota. Botuesi Berat Armagedoni, në kapakun e librit, ka shkruar për këtë libër: “Plagë zemre është libri më i ri me poezi i Ramë Bashotës. Në këtë libër nuk janë vetëm plagët e tij, vuajtjet e tij, përmallimet dhe përballimet e tij me jetën dhe me dukuritë abstrakte dhe konkrete në jetë. Meqë vaji i burrit është kënga, ilaçi i këtij poeti, për kapërcim të dhembjeve dhe për shërim të plagëve, është poezia. Mallin për njerëzit që i mungojnë dhe çmalljen me ta e shkruan në letër. Ai ndien nostalgji për një kohë, për një vend, për dukjen dhe amanetet e të atit, edhe për njerëzit e pushkës dhe të pendës. Ironinë dhe sarkazmin në poezi i përdorë për politikën, ndërsa dashurinë s’e lë mënjanë në asnjë libër. Për atdhe ka kontribuar edhe fizikisht qëmoti, për dashuri të shëndoshë kontribuon edhe sot. Nëpërmjet këtij libri Ramë Bashota i ka hapur plagët e veta për t’i shëruar të shumëkujt”.