“Plagët e luftës” në poezi
Flamur Maloku, poet, studiues
Plagët e Kosovës, të popullit të saj shqiptar, janë të mëdha, janë të llojllojshme, janë të paharrueshme, janë dërrmuese. Gjurmët e tyre sot janë kudo në Kosovë. I kanë shkaktuar serbët. Sot nuk ka qytet në Kosovë, nuk ka fshat, nuk ka lagje që s’ka një plagë të luftës. Edhe njëzet e katër vjet pas luftës përkujtohen masakra, vrasje, dhunime. Foshnja, fëmijë, gra shtatzëna, pleq, plaka, të vrara, pastaj të masakruara. Do të përkujtohen përjetë sepse plagët e luftës janë të pashërueshme dhe të pafalshme. Edhe pse krimet serbe janë dokumentuar, Serbia ka mbetur pa ndëshkuar. Kam parë një regjistër të gjatë të librave të ndryshme për krimet e saj. Janë shkruar qindra monografi për krimet serbe në Kosovë. Janë shkruar dhjetëra romane për krimet serbe në Kosovë. Janë shkruar mijëra poezi për krimet serbe në Kosovë. Pra, autorë të ndryshëm, të rinj dhe të vjetër, kanë mbledhur plagët e luftës nga qytetet, fshatrat, lagjet dhe familjet e Kosovës dhe i kanë shtrirë dhe shkrirë në vepra shkencore dhe artistike. Edhe unë, duke mbledhur krijime të tyre për plagët e luftës, duke i rikujtuar tmerret që edhe vetë i kam përjetuar në luftë si një djalë i ri, i bëra bashkë disa poetë shqiptarë në këtë përmbledhje dhe përzgjedhje poezish, në shenjë nderimi dhe kujtimi për të gjithë martirët dhe viktimat e Kosovës të luftës së fundit. Përpos shkrimtarët, për ndriçimin e krimeve serbe në Kosovë kanë kontribuuar edhe gazetarë dhe artistë. Janë hapur dhjetëra ekspozita të pikturave e të skulpturave me temë krimet serbe në Kosovë. Janë bërë dhjetëra dokumentarë për krimet dhe dëmet e luftës që ka shkaktuar Serbia në Kosovë. Por, sa kemi pasur mundësi të bëjmë si shtet dhe shoqëri për dokumentimin e krimeve serbe ndaj shqiptarëve të Kosovës nuk kemi bërë. E dimë se ndriçimi i krimeve serbe nuk është punë vetëm për shkrimtarë, studiues dhe artistë shqip-tarë. Është detyrë, në radhë të parë, e Qeverisë së Kosovës, e organizatave vendore dhe të huaja, e shkrimtarëve dhe studiuesve të huaj. Besojmë se, tash, pas themelimit të Institutit për Hulumtimin dhe Dokumentimin e Krimeve të Kryera Gjatë Luftës në Kosovë, do të bëhet punë më e madhe dhe më serioze sesa që është bërë. Dhe një ndihmë këtij instituti do t’i japim nëpërmjet kësaj përzgjedhjeje poetike, në të cilën kemi mbledhur dhimbjen anembanë Kosovës, siç i ka dhënë kohë më parë edhe Qendra Gjenocidi në Kosovë “Plagë e hapur”, e veprimtarëve shqiptarë me seli në Zvicër, e cila, përpos që ka përgatitur dhe botuar një antologji poetike të dhimbjes, ka organizuar dhjetëra aktivitete në Kosovë dhe diasporë për dokumentimin e shumë krimeve serbe. Në këtë përzgjedhje poetike shohim lloje të ndryshme të krimeve dhe lloje të ndryshme të dhimbjeve e përjetimeve njerëzore. Shohim tortura, përndjekje, vrasje, dhunime, masakrime; kërkojmë edhe të pagjetur. Duke i bërë bashkë këto krime serbe në këtë homazh poetik, shohim se këto akte janë gjenocidare. Edhe shumë krijime të tjera, të shumë autorëve shqiptarë, po me këtë temë e me këso motive nga gjenocidi, s’janë përfshirë në këtë përmbledhje për shkak të vëllimit të madh dhe, po ashtu, për shkak se punë të tilla kanë bërë edhe përgatitës të tjerë ndër vite. Për fund, u shpreh falënderime të gjithë shkrimtarëve, studiuesve, artistëve, aktorëve, gazetarëve, kujtdo që, sipas mundësisë që ka pasur, ka bërë një punë për ndriçimin e krimeve serbe ndaj popullit shqiptar.
Parathënia e përmbledhjes poetike “Plagët e luftës”