Plagosen dy persona në Pejë, policia jep detaje
Dy persona kanë mbetur të plagosur si pasojë e disa të shtënave me armë zjarri në fshatin Kryshec të komunës së Pejës.
Rastin e ka konfirmuar zëdhënësi i Policisë për rajonin e Pejës, Fadil Gashi, i cili bëri të ditur se dy të lënduarit janë dërguar për trajtim mjekësor në Emergjencën e Pejës, ndërkaq më vonë njëri nga ta është dërguar në QKUK.
“Sot rreth orës 20:55 Policia është njoftuar për të shtëna me armë zjarri në fshatin Kryshec të komunës së Pejës. Gjatë asaj përleshje është përdorur arma e zjarrit, ku dy persona kanë pësuar lëndime. Fillimisht të lënduarit janë dërguar në Emergjencën e Pejës, ndërkaq pastaj njëri prej tyre është dërguar në QKUK”, u shpreh Gashi.
Ai tutje tha se është arrestuar një person i dyshuar për rastin, si dhe është konfiskuar arma me të cilën është shtënë.
Bëhet e ditur se të gjitha njësitet Policore janë në vendin e ngjarjes.