Plagosen dy persona në Shtërpcë, njëri 11 vjeç
Policia e Kosovës ka njoftuar se dy persona janë plagosur para më shumë se një ore në fshatin Drajkovc të Shtërpcës. Njëri nga të plagosurit është rreth 11 vjec.
“Sot, datë 06.01.2023 rreth orës 15:19 policia e stacionit në Shtërpcë ka pranuar një informacion se në fshatin Drajkovc të Shtërpcës dy persona, njëri rreth 11 vjeçar dhe tjetri rreth 31 vjeçar janë plagosur nga arma e zjarrit nga personi/persona të panjohur i cili/të cilët ishin me një automjet të udhëtarëve në lëvizje, që po qarkullonte nga Shtërpca në drejtim të Ferizajt dhe më pas janë larguar nga vendi i ngjarjes”, ka njoftuar policia.
Dy të plagosurit, sipas policisë, janë jashtë rrezikut për jetë.
“Dy të lënduarit për ndihmë mjekësore janë dërguar në Qendrën e Mjekësisë Familjare në Shtërpcë dhe pas marrjes së ndihmës së parë në Shtërpcë, për tretman të mëtutjeshëm mjekësor janë dërguar me autoambulancë për në qytetin e Graçanicës. Të dy të plagosurit nga informacionet që kemi janë jashtë rrezikut për jetë”, ka njoftuar Policia e Kosovës.